Rrjeti i Prindërve Edukues i reagon British School of Kosova: Dështim institucional dhe moral

- Advertisement -

Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka reaguar ashpër pas një shkrimi ku një prind pretendon se shkolla private British School of Kosova ka refuzuar regjistrimin e vajzës së tij me Sindromën Down.

- paragrafi 1 -

Në një deklaratë publike, rrjeti e cilëson këtë veprim si diskriminues dhe kërkon që shkolla të rishqyrtojë vendimin, të kërkojë falje publike dhe të ndërmarrë hapa konkretë për përfshirje të plotë të fëmijëve me aftësi të ndryshme.

- Advertisement -

Prindi denoncon publikisht British School of Kosova: Refuzoi regjistrimin e vajzës vetëm sepse ajo ka Sindromën Down.

Reagimi:

Sot, të rënduar por me vendosmërinë e një komuniteti që lufton për të drejtat e të gjithë fëmijëve pa dallim, ne, Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës, reagojmë fuqishëm ndaj lajmit se shkolla private British School of Kosova ka refuzuar regjistrimin e një fëmije vetëm për shkakun se fëmija është me Sindromën Down.

- Advertisement -

Kjo qasje diskriminuese dhe përjashtuese është e papranueshme në një shoqëri që synon të ndërtojë vlera demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, veçanërisht për më të vegjlit e saj – fëmijët.

Refuzimi i vajzës së vogël, Nisa, për të ndjekur mësimet në një institucion arsimor nuk është vetëm një padrejtësi ndaj një fëmije dhe një familjeje – është një dështim institucional dhe moral që i bën dëm të gjithë shoqërisë.

I bëjmë thirrje publike:

British School of Kosova që të rishqyrtojë menjëherë vendimin e saj, të kërkojë falje publike dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të një mjedisi gjithëpërfshirës;

Të gjitha institucionet shkollore, publike e private, që të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme, duke mos lejuar që paragjykimet dhe praktikat diskriminuese të bëhen normë;

Institucioneve shtetërore dhe veçanërisht Ministrisë së Arsimit, që të marrin këtë rast me prioritet absolut, të hetojnë situatën dhe të sigurojnë që të gjitha shkollat në vend të jenë të obliguara të respektojnë ligjet për të drejtat e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në arsim.

Ne nuk do të ndalemi derisa çdo fëmijë në Kosovë, pavarësisht prejardhjes, gjendjes shëndetësore apo aftësive të tij, të ketë të drejtën dhe mundësinë e barabartë për edukim, zhvillim dhe jetë me dinjitet.

Fëmijët si Nisa nuk kërkojnë mëshirë – ata meritojnë mundësi. Dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve neve.