Arsimi profesional po fiton gjithnjë e më shumë terren në Durrës.
Shkolla shtetërore “Beqir Çela” ka regjistruar më shumë nxënës krahasuar me një vit më parë.
Ky trend tregon se të rinjtë, por edhe institucionet, po i japin përparësi profesioneve konkrete që kërkohen në treg.
“Regjistrimet janë në një nivel më të lartë se sa viti i kaluar. Janë rreth 40 nxënës më shumë se një vit më herët. Kjo tregon për një interes të shtuar sa i përket arsimit profesional dhe një vëmendje e shtuar tashmë nga instancat, nga qeveria dhe nga gjithë organizmat e tjerë që orientojnë drejt arsimit profesional”, tha Fatmir Mërkuri, drejtori i shkollës profesioanel “Beqir Çela”.
Por kush e mban peshën më të madhe të regjistrimeve?
“Peshën më të madhe e mban më shumë “Shërbime mjetesh transporti” e cila përfshin rreth 40% të kapacitetit të saj. Më pas vjen Elektroteknika, Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit, Termohidraulika dhe Mekanika”, sqaron Mërkuri.
Me përfundimin e shkollës, statistikat tregojnë mbi 87 përqind të nxënësve të punësuar.
“Shkon në 87% të punësuar në profilet e veta. Kjo është një tregues shumë i mirë për sa i përket zhvillimit profesional dhe përmbushjes të tregut të punës me specialistë”, tha ai.
Në vitin arsimor që sapo u mbyll, këtë shkollë e ndoqën mbi 1,200 nxënës.
Klan News