Shtatë shkolla në Komunën e Prishtinës do t’i bashkohen programit të mësimit gjithëditor nga muaji shtator, pesë prej tyre në fshatra. Por, vonesat në miratimin e buxhetit po rrezikojnë funksionimin e projekteve, përfshirë edhe sigurimin e shujtave për nxënësit.
Shtatë shkolla në kryeqytet pritet t’i bashkohen programit të mësimit gjithëditor nga shtatori, pesë prej tyre në fshatra. Kështu shprehet drejtori i Arsimit, Samir Shahini.
“Duke filluar nga fshati Grashticë, Mramor, Llukarë, Barilevë dhe Kishnicë. Dy të tjera në qytet janë pastaj shkollat, “Zenel Hjadini” e cila hyn në kombinim me shkollën “Asim Vokshi” për shkëmbim të nxënësve dhe rregullimin e cikleve të ndara 6-9 kalojnë në “Asim Vokshi” e 1-5 në “Zenel Hajdini” e pastaj “Pjetër Bogdani” dhe “Emin Duraku” ku “Pjetër Bogdani” fillon me mësim tërëditor për ciklin 1-5 derisa “Emin Duraku” pret ose është nikoqir i nxënësve 6-9 dhe kolegtivit të shkollës “Pjetër Bogdani”.
Megjithatë, Shahini paralajmëron për një problem që mund të shfaqet në këtë projekt. Thotë se vonesat në miratimin e buxhetit komunal po rrezikojnë seriozisht funksionimin e projekteve arsimore, përfshirë edhe ofrimin e shujtave për nxënësit.
“Jemi në korrik dhe ende nuk e kemi buxhetin. Çdo ditë që kalon është kosto e jashtëzakonshme në adresimin e projekteve të cilat kërkojnë finalizim. Mos harroni, afatet e shkollave, të prindërve në këtë rast dhe të nxënësve, nuk janë të lidhura ngusht me afatet e planifikimit të buxhetit ose të tekeve të Kuvendit Qendror të Kosovës, sepse shtatori është këtu”, tha ai për RTK.
Për shkak të mosrealizimit të pagesave që varen nga buxhetit i këtij viti, Shahini e pranon për borxhet që kanë ndaj ndërmarrjes komunale “Kuzhina e Kryeqytetit”.
“Jemi me mijëra euro borxh te kuzhina e kryeqytetit që rrezikon mos shërbim, mos ofrimi të shërbimit nga shtatori për këta nxënës, për mungesë të një buxheti i cili është i planifikuar. Mbi 1 milion e 800 mijë euro janë të planifikuara për buxhetin e vitit 2025 vetëm për shujta për këta nxënës, por nuk janë të qasshme, nuk janë të shfrytëzueshme sepse buxheti i vitit 2025 derisa nuk është i aprovuar, ne funksionojmë me buxhetin e vitit 2024 edhe ato të ndara në tranzhe”, theksoi Shahini.
Me gjithë sfidat, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë thotë se do të vazhdojë të punojë me zgjidhje alternative dhe me partnerë lokalë për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve, deri në zhbllokimin e situatës buxhetore.