Zooteknia rrezikon mbylljen si program studimi. Por Enisa Faslia është një prej dy studenteve të vetme që janë regjistruar në këtë degë.
Për shkak të numrit të ulët, dy vajzat po angazhohen me studentet e degëve të tjera të cilët kanë si program ndjekjen e zooteknikës, që merret me rritjen dhe shfrytëzimin e kafshëve shtëpiake.
Studentja me mesatare mbi 7 tregon se zooteknika nuk ishte një zgjedhje e imponuar thjesht për të pasur një diplomë, por një ndër preferencat e saj.
“E zgjodha këtë degë sepse më pëlqejnë kafshët”, u shpreh studentja.
Pedagogia Lumturi Papa thotë se nga viti në vit numri i studentëve që zgjedhin këtë degë ka ardhur në përgjysmim edhe pse tregu ka mungesë të theksuar të specialistëve të tillë.
“Tregu shqiptar ka uri specialistësh zootekni, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe vazhdimisht na kërkojnë specialistë të zooteknisë që kanë mbaruar”, u shpreh pedagogia.
Vendi i punës pas studimeve duket i sigurt, por pedagogët thonë se ka edhe arsye të tjera për të zgjedhur të tilla degë.
“Shqipëria është më shumë vend bujqësor dhe brenda saj më shumë blegtoral, sepse blegtoria prodhon më shumë se gjysmën e GDP që vjen nga prodhimi bujqësor. Kafshët e fermës janë pasuri kombëtare dhe ka nevojë për specialistë për mënyrën se si do të mbarështohen, si shumohen, si do të rrisin prodhimin e tyre për të plotësuar kërkesat gjithnjë e në rritje që ka tregu shqiptar për produktet blegtorale”, tha ajo.
E njëjta situatë edhe në degën mbrojtje e bimëve ku numri i studentë është në rënie. Në UBT numërohen 712 kuota bosh nga 1700 që ka në total për vitin akademik 2022-2023. /TV Klan