Nga viti 2008 ka nisur punën në arsim, kurse nga viti 2022 ushtron pozitën e drejtorit në shkollën “Bajram Curri” në Krushë të Madhe. Fjala është për Rrezart Veseli, i cili në një intervistë për AlbanianEducation.net tregon sa është vështirë sot të drejtosh një insitucion shkollor, ndërsa flet edhe për çështjen e pagave, ndërsa ka dhe një mesazh për Ministrinë e Arsimit.
Një CV e juaja, që t’iu njohin lexuesit tonë më shumë?
Unë quhem Rrezart Veseli i lindur në Krushë të Madhe, komuna e Rahovecit, shkollën fillore dhe të mesme e kam kryer në vendlindje, studimet universitare i kam kryer në Fakultetin e Edukimit – Universiteti i Prishtinës.
Në arsim kam filluar të punoj që nga viti 2008, ndërsa në pozitën e drejtorit jam nga viti 2022.
-Në vitin 2012 jam çertifikuar si traner nga USAID për Vlerësimin Formativ.
-Në vitin 2012 jam çertifikuar si trajner nga USAID për “Standardet e Fasilitimit të të nxënit.
-Në vitin 2015 jam çertifikuar si trajner nga USAID për“Zhvillimi i shkathtësive të leximit në klasat e hershme”
-Në vitin 2016 jam çertifikuar nga MASHT si trajner për zbatimin e Kurrikulës së Re.
-Në vitin 2020 jam çertifikuar nga British Council si trajner për “Shkollat e shekullit 21.
Jam bashkautor i Pakos Pedagogjike për mësimdhënës.
Bashkëautor i Librave të Pushimëve për klasat 1 deri 5.
Sa është e vështirë sot të udhëqësh një institucion shkollor? Cilat janë sfidat?
Të udhëheqësh dhe menaxhosh një shkollë nuk është një detyrë e lehtë, pasi herë pas here përballesh me sfida nga më të ndryshmet.
Për të gjitha këto duhet të jesh i përgatitur duke qenë njohës i të gjitha Udhëzimëve Adminsitrative, si dhe duke qenë bashkëpunues në nivelin më të lartë.
Si drejtor i shkollës mundohem ta kultivoj kulturën e bashkëpunimit sepse rëndësia e bashkëpunimit ka një rol të madh në mësimdhënie dhe mësimnxënie, kur dihet që është çelësi i suksesit të një shkolle.
Angazhohem shumë për ofrimin e kushteve sa më të mira për mësimdhënës dhe nxënës me qëllim që rezultatet të jenë sa më të larta.
Sot që teknologjia ka avancuar shumë, e në anën tjetër shohim që shkollat tona ballafaqohen me munges të teknologjisë bashkëkohore, ku për mësimdhënësit është sfidë zbatimi i programëve lëndore, të bazuar në kurrikulën tonë.
Mund të na veçoni ndonjë ngjarje interesante me nxënësit që vlen të theksohet? Po, ndonjë histori të veçantë me koleget-ët tuaj?
Ne si shkollë kemi plot ngjarje të ndryshme, për të cilat ndihemi krenar.
Ndër më të mirat janë rezultatet e larta ndër vite që na sjellin nxënësit nga garat e ndryshme.
Veçojmë vendin e parë në garat shtetërore të kuzit “Europa” në vitin 2013, pastaj vazhdimisht jemi renditur si shkollë me përformancë të lartë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Vitin e kaluar jemi rendit si shkolla e parë në Komunën e Rahovecit në Garat Komunale, ku kemi marrë pjesë në 7 lëndë mësimore.
Këtë vit kemi zënë vendet e parë në Garat Komunale në Ping-pong, në Matematikë, Fizikë dhe në pikturë.
Shkolla jonë përveç që zbaton kurrikulën e re në tërësi, tash jemi edhe zbatues të digjitalizimit të teksteve shkollore në platformën “School Me”.
Sa duhet të jetë vlera e koeficientit të pagave sipas jush?
Duke u bazuar në rolin, detyrën dhe përgjegjësinë që ka mësimdhënësi, konsideroj që vlera e koeficientit ku renditemi sot është vërtet e ulët.
Hallka e parë e shtetit është arsimi sepse nga kjo dalin të gjithë të profesionet tjera.
Një shtet i qëndrueshëm duhet të ketë një arsim të mirëfilltë, ku pagat e mësimdhënësve duhet të jenë dinjitoze, e ku vlera e koeficinetit të jetë 150€, e me këtë rast rritet edhe motivimi për punë dhe angazhim në mësimdhënie.
Për fund, mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit?
Në radhë të parë mesazhi për MASHT është që të vlerësohet lartë puna e mësimdhënësit dhe të mos neglizhohen kërkesat e tyre.
Gjithashtu të furnizojë shkollat me teknologji bashkëkohore, sepse çdo ditë mësimdhënësi ballafaqohet me munges të teknologjisë bashkëkohore për zbatimin e programëve lëndore që kryesisht lidhen me TIK-un.