Komuna dhe drejtorët e shkollave fillore e të mesme në kryeqytet kanë filluar të diskutojnë lidhur me skenarët online të zhvillimit të mësimit, si shkak i rritjes së rasteve me COVID-19.Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” nga data 17 janar kaloi në mësim online pas rritjes së rasteve me nxënës të prekur me virus.
Nga drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës për Kallxo.com kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë shkollë tjetër që ka kaluar në këtë skenar.Sipas tyre, brenda ditës po kryen afër 500 teste me nxënës.
“Nuk ka asnjë institucion tjetër edukativ arsimor dhe aftsëues, përveç SHFMU “Ismail Qemaili” që ka kaluar online.
Brenda ditës po kryhen mesatarisht pesqind (500) teste”, thuhet nga komuna.
Tutje, nga komuna potencohet se nxënësit që rezultojnë pozitiv në testet e shpejta përmes pështymes, kanë të drejtë të bëjnë edhe test PCR në IKShP.
“Nxënësit kanë të drejtë të bëjnë testin edhe në IKShP, edhe pse sipas rekomandimeve edhe këto teste kanë siguri të lartë”, u tha nga komuna.
Evidentimi i rasteve tek nxënësit po bëhet më shpejt, pasi nga fillimi i kësaj jave, shkollat e kryeqytetit janë furnizuar me teste të shpejta përmes pështymës që detekojnë infektimet me virus.Këto teste po u bëhen vetëm nxënësve që kanë simptome si temperaturë, kollitje ose kanë pasur kontakte me dikë të prekur me virusin COVID-19.