Ministria e Arsimit ka njoftuar dje se është kryer pagesa për grupin e dytë të prindërve që kanë aplikuar për subvencionimin e librave për fëmijët e tyre.
Kështu në total numri pagesa të kryera ka shkuar në 130 mijë, nga 178.580 aplikime.
“Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore”, njofton MASHT-i.
Javën tjetër pritet që të kryhen pagesat edhe për 48.580 aplikues.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton se deri sot nga platforma eKosova kemi pranuar 178,580 aplikime nga të cilat, 105,404 aplikime nga klasat I-V për tekste dhe materiale shkollore dhe 73,176 aplikime nga klasat 6-9, të cilët tashmë i kanë tekstet shkollore dhe kanë aplikuar për mbështetje për materiale shkollore.
Platforma do të jetë e hapur për aplikim deri në fund të muajit shtator.
Nga Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Inspektorati i Arsimit nuk është raportuar për asnjë shkollë në Republikën e Kosovës që nuk është duke e mbajtur procesin mësimor për shkak të mungesës së teksteve.
Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore.
Platforma eKosova ka 812,000 përdorues të cilët marrin shërbime. Ndër shërbimet tjera është edhe moduli për aplikimin për tekstet dhe materialet shkollore, i cili është i thjeshtë dhe zgjatë shumë pak. eKosova ofrohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila po vazhdon të ofrojë mbështetje në funksionimin e platformës.
Sidoqoftë, për ta lehtësuar edhe më shumë këtë proces të aplikimit për pjesën e mbetur të atyre që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të aplikojnë, do të ofrojmë edhe asistencë fizike nëpër komuna. Lokacionet për secilën komunë do t’i bëjmë publike bashkë me institucionet tjera mbështetëse.
Për informimin tuaj, procesi i furnizimit me tekste shkollore me këtë praktikë është shumë më i shpejtë sesa me praktikat e aplikuara në vitet e mëhershme.
I falënderojmë të gjithë prindërit, mësimdhënësit dhe të gjithë punëtorët e arsimit për angazhimin në këtë proces.