Një raport i sigurisë i realizuar në shkollat e Kryeqytetit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka nxjerrë në pah se rreth 50 për qind e shkollave përballen me çështje sigurie që kërkojnë ndërhyrje.
Pas publikimit të këtyre gjetjeve, Komuna e Prishtinës ka thirrur një takim me drejtorët e të gjitha shkollave të kryeqytetit, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe të Zjarrfikësve, si dhe drejtues të disa drejtorive komunale.
Në takim pritet të jenë të pranishëm drejtues nga Drejtoria e Arsimit, Inspekcionit, Investimeve Kapitale, Transformimit, Mobilitetit, Shërbimeve Publike, si dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.




Sipas njoftimit, qëllimi i këtij takimi është shqyrtimi i detajuar i raportit të sigurisë dhe identifikimi i hapave konkretë që duhet të ndërmerren për përmirësimin e kushteve të sigurisë në shkolla.
Njoftimi i plotë:
Raporti i sigurisë i realizuar në shkollat e Kryeqytetit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka treguar se rreth 50% e shkollave kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet.
Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, kam ftuar në takim drejtorët e të gjitha shkollave të Kryeqytetit, së bashku me Policinë e Kosovës, Zjarrëfiksat dhe drejtorët e Arsimit, Inspekcionit, Investimeve Kapitale, Transformimit, Mobilitetit, Shërbimeve Publike, si dhe Sigurisë dhe Emergjencave.
Qëllimi i këtij takimi është që ta shqyrtojmë në detaje raportin e sigurisë dhe të identifikojmë menjëherë hapat konkretë që duhet të ndërmerren.
Në këtë proces, çdo drejtori do të marrë përgjegjësitë që i takojnë sipas fushës së saj, ndërsa një pjesë e masave do të adresohen edhe nga vetë menaxhmentet e shkollave.
Siguria në shkolla është një përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.
Zero kompromis kur është në pyetje siguria e fëmijëve tanë.