Tetori është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kanc erit të gjirit dhe të shumta kanë qenë gratë që kanë treguar historitë e tyre.
Një prej tyre është edhe mësuesja nga Vlora, Fiqiretja e cila është nënë e tre fëmijëve të vegjël.
Ajo thotë për Report tv se gjithçka nisi nga shpimet dhe dhimbjet në gjoks, të cilat i neglizhoi për 6 muaj.
“Historia ka filluar para një viti, dhimbje shpime në gjoks. Unë e kam neglizhuar duke besuar se jam moshë e re dhe nuk e mendoja se është gjë e keqe, asnjëherë nuk e çoja në mendje. Ndërsa para 6 muajsh e kam parë gjëndrën poshtë sqetullave dhe më shqetësoi goxha erdha tek doktoreshë Juli. Bëra eko ku u pa masa me metastaza dhe doktoresha më çoi në Tiranë për biopsi dhe pas saj nisa terapinë me kimio-terapi.Kimio-terapinë tani e bëj në Vlorë, se përpara bëhej në Tiranë. Kushtet këtu janë më komode, ndërsa në Tiranë ishte e vështirë për shkak të lodhjes, rruga e gjatë. Familja më mbështet, fëmijët e mi më japin forcë për të vazhduar. Unë jam e sigurt se do e fitoj këtë beteje. Unë gjithmonë kam qenë e fortë, jam përballur me shumë situata por këtë e kam përjetuar shumë keq. Kam qarë, mu duk se ishte fundi, por njerëzit që më mbështetën më dhanë force”.
Fiqiretja mban paruke, por ky tashmë është halli më i vogël për të.
“Flokët më ranë që me kimio-n e parë, e vështirë ishte por i dhashë vetes forcë, flokët dalin sërish vetëm sëmundja të largohet…”
Vajza më e madhe u prek qau kur më ranë flokët. Dy të tjerët nuk e kuptonin se janë të vegjël, ndërsa e madhja vjen më përqafon përpiqet të më ndihmojë me aq sa mundet ajo… Me zërin drithërues, mësuesja nga Vlora ka një mesazh të fortë për të gjitha gratë e vajzat.
“Sot u them të gjitha grave të mos neglizhojnë të bëjnë kontrolle të herëpashershme edhe sikur të mos kenë asgjë. Asnjëherë më parë nuk isha kontrolluar, sepse po të kisha bërë një kontroll rutinë do e kisha kapur në kohë.
Nga shtrati i spitalit ajo me forcë përsërit se kontrollet duhen kryer pa u shfaqur masa tumoriale./Shqiptarja.com