Kujtimet për pranverën e hershme të para tri dekadave, sjellin klithmat e mijëra nxënësve shqiptarë.
Serbët kishin helmuar të rinjtë e pafajshëm në shumë shkolla të Kosovës. Por, shteti jugosllav nuk e pranoi kurrë këtë, duke thënë se kjo ishte inskenim dhe aktrim i përgatitur. Mjekë e profesorë sjellin rrëfime për KosovaPress, për atë që ngjau në marsin e vitit 1990, ku u helmuan rreth 8 mijë persona me helm toksik. Të njëjtit, kishin prezantuar fakte edhe përballë serbëve, duke ngulmuar se po bëhej fjalë për helmim masiv.
Helmi i përdorur kishte ndikim të fortë në organizëm duke u shkaktuar shtangim muskujsh, vjellje, alivanosje, çrregullim ndjenjash e shumë pasoja të tjera.
Xhafer Murtezaj, që në atë kohë ishte profesor i lëndës së Edukatës Fizike në gjimnazin e Skenderajt, kujton klithjet e nxënësve në secilën klasë të shkollës.
75-vjeçari rrëfen për KosovaPress tmerrin e përjetuar aso kohe.
“Sa dëgjohej një klithmë në një klasë, katër-pesë vajza, dëgjohej në tjetrën. Krijohej një panik edhe te tjerët nxënëse. Mandej u krijua një shqetësim i madh në popullatë. Vinin prindërit, nuk kishin mjete spitali, në Skenderaj atë herë nuk kishte më shumë se dy-tri vetura. Ata qytetarë që kanë pasur vetura edhe deri në spital i kanë bartur apo ka pasur raste që i kanë bartur edhe deri në Qendrën Mjekësore të Kosovës. Ajo ka qenë diçka shumë e rëndë”, rrëfen Murtezaj.
Mostrat e marra nga gjaku i të helmuarve vështirë vërtetoheshin. Edhe në udhëheqje të spitaleve kishte serbë, të cilët pengonin për tu ndriçuar e vërteta. Vet pushteti i atëhershëm punonte shumë që të mos kuptohej e vërteta e këtij krimi.
“Kam marrë gjakun e disa pacientëve, jo të gjithë pacientëve. Dhe meqenëse analizat nuk ka qenë e mundur që të kryhen në Institutin e Biokimisë që ka qenë dy kate më lartë, sepse drejtori ka qenë serb. Jam marrë vesh me shefin e laboratorit biokimik në Obiliq që t’i ruajmë mostrat dhe t’i punojmë gjatë natës sa ka qenë kujdestar. Këto rezultate kanë treguar se më shumë se 70 përqind të pacientëve të pranuar nuk kanë pasur vlera të kalciumit, që si të tilla mjaftojnë për t’i shkaktuar ato ngërçe hiperkalcimike”, tregon Neshet Rizvanolli, i cili në atë kohë punonte në Njësinë Nukleare në Prishtinë.
Në katet e mbushura plot të klinikës në kryeqytet, edhe korridoret po shfrytëzoheshin për trajtimin e fëmijëve që vështirë po rrinin edhe të shtrirë.
“Të gjithë ata pacientë kanë ardhur me simptoma të shtangimit, me ngërçe, që kanë qenë tipike për një gjendje të hipokalcimimit, i cili shkakton shtangim të muskujve. Trajtimi është bërë sipas simptomave… Pjesa më e madhe e nxënësve është dashur që me orë të tëra të trajtohen me kalcium, që tregon se kanë pasur një hiperkalcimi jo të shkaktuara nga gjendja e ankthit por nga ndonjë agjenci që ka arritur në organizëm, përmes rrugëve respiratore”, shprehet ai.
“Kosova, sprovë e ndërgjegjes mjekësore”, ishte titulli i simpoziumit të mbajtur më 2 shtator 1990. Këtë nuk e priti mirë Beogradi, meqë e njëjta hodhi pak dritë mbi të vërtetën e helmimeve në Kosovë. Ekspertë nga shumë vende ishin pjesëmarrës, përfshirë edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.
“Këto të dhëna i kam paraqitur në simpoziumin për helmimin, i cili është mbajtur në Zagreb dhe më kujtohet reagimi i profesorit nga Beogradi, i cili ka qenë neuropsikiatër sepse teza e serbëve në atë kohë ishte se këto kanë qenë atakë të panikës, prandaj edhe përfaqësuesin të cilin e kanë dërguar ka qenë neuropsikiatër e jo ndonjë ekspert për helmime”, vijon Rizvanolli.
“Kjo ishte më shumë se luftë”, thotë drejtori i atëhershëm i Transfuzionit të Gjakut, Mazllum Belegu.
“Nuk ka pasur dhimbje më të mëdha se të shohësh ato manifestimet e helmimeve te fëmijët. Gjithçka çfarë ndodhë te fëmijët, te të rriturit është më e qëndrueshme, i rrituri e përballon. Por të shohësh fëmijët duke u dridhur, duke mos mundur të rrijë në këmbë të veta, as të bisedojë as kurrgjë. Më kujtohet një fjali që thotë dikush ‘a është kjo luftë?’. Thash: ‘jo kjo nuk është luftë, kjo është më shumë se luftë’. Fëmijët të bëhen ashtu, nuk e di se çfarë shpirti dhe çfarë zemre kanë pasur”, rrëfen Belegu për KosovaPress.
Në Kosovë u helmuan rreth 8 mijë nxënës dhe të rritur gjatë vitit 1990. Kjo i parapriu ngjarjeve që më vonë eskaluan në demonstrata për të drejtat e shqiptarëve dhe më vonë edhe në luftën për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb./kp