Selman Thaçi, mësimdhënës i muzikës, ka kujtuar kohën kur kishte braktisur punën si mësues për të luftuar si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në periudhën kur jam punësuar si mësimdhënës në vitin ’93-’94, kanë qenë vitet më të vështira njëkohësisht më të lumtura sepse fillonim një jetë të re në arsimin e Kosovës, me vështirësi të jashtëzakonshme duke u munduar të organizoheshim në shtëpi-shkollam në mundësi të kufizuara të punës por është jashtëzakonisht e vështirë ta përballoj emocionin kur e kam hedhur ditarin për t’iu rrekur një lufte të re për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Thaçi në Klan Kosova.
“Njohuritë [ushtarake] kanë qenë minimale por dëshira dhe vullneti i madh për ta çliruar vendin kanë qenë vullkan i pashuar”.
“Ka qenë 28 shkurti, ngjarja e Likoshanit dhe e Qirezit. Në momentin kur janë varrosur ata 24 martirë dhe dëshmorët e atyre dy fshatrave, unë kam biseduar me drejtorin edhe aty e kam ndërprerë aktivitetin si mësimdhënies, edhe e kam marrë armën dhe u jam bashkëngjitur shokëve”.
Thaçi tha se në atë gjendje lufte e sulmesh nga Serbia, ata shpesh as nuk ia kanë pasur haberin për festat si 7 Marsi e Bajrami.
“Nuk kanë qenë të paktë muajt, 17-18 muaj, një vit e gjysmë, të ekzistosh në një sulm shtazarak çfarë tentonte Serbia të bëjë, shfarosjen e popullit tanë, mirëpo me një organizim, me një dëshirë aq të madhe për të qenë të lirë, rreziku dhe sakrifica jonë kanë qenë të jashtëzakonshme, kanë qenë sublime, prandaj sot me përulësinë më të madhe u drejtohem të gjithë atyre që kanë ra për lirinë e Kosovës”.
“Ne disa herë nuk e kemi ditur, na kanë ikur edhe festat, s’e kemi ditur kur ka qenë Bajram apo një festë tjetër. Vij nga një territor ku kemi pasur pothuajse çdo ditë beteja, çdo ditë kemi pasur hov të ushtrisë serbe për të na likuiduar, por asnjëherë për të na gjunjëzuar”.