Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur muajin e kaluar në një shkollë të mesme në Nikosia, Qipro, ku një nxënës ka hyrë në shkollë me mbi 15,000 euro dhe ka shpërndarë një pjesë të konsiderueshme të tyre tek shokët e klasës.
Sipas mediave lokale, nxënësit kanë marrë shuma të mëdha parash, përfshirë një nxënës që ka marrë 3500 euro për të blerë një motor, ndërsa një tjetër ka marrë 500 euro.
Babai i një nxënësi që mori 500 euro, ka folur për mediat dhe ka shpjeguar se, kur e mori vesh se djali i tij kishte para, i kërkoi atij që t’i kthente ato. Ai tha se djali i kishte thënë se do t’i kthente paratë, por nuk e kishte bërë këtë.
Duke u shprehur për mediat, babai i nxënësit tha se ato para dukeshin sikur ishin të nxjerra nga një bankë dhe kjo i ka shkaktuar më shumë shqetësim.
Rasti ka nxitur ndërhyrjen e autoriteteve, dhe babai i studentit ka bërë denoncim në polici, duke shprehur dyshime të forta në lidhje me origjinën e parave dhe mënyrën si ato u shpërndanë në shkollë.
“Telefonova policinë dhe bëra denoncim. U thashë se si ka mundësi që një nxënës të mbajë 15,000 euro dhe t’i shpërndajë në shkollë. Diçka nuk shkon”.
Ndërkohë, drejtoria e shkollës ka kërkuar kthimin e parave të shpërndara, dhe ka thirrur familjen e nxënësit që mori 500 euro për t’i kthyer ato, por, sipas babait, asnjë student tjetër nuk është thirrur për të kthyer paratë.