E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Rrëfimi i arsimtarit për sfidat e mësimdhënies me nxënësit e riatdhesuar nga vatrat e luftës

- Advertisement1-

Shtatë nxënës, 5 vajza dhe 2 djem, të kthyer nga vatrat e luftës në Siri dhe Irak, po Ii ndjekin mësimet në shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Prishtinë.

Sipas të dhënave të MASHTI-t, në Kosovë janë 61 fëmijë të riintegruar në procesin arsimor të shpërndarë në dhjetë komuna të Kosovës.

- Advertisement -

Nxënësit që po i vijojnë mësimet në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, janë të moshave të ndryshme dhe përfshijnë gjeneratat nga klasa e dytë deri në të tetën, mirëpo mësimet i ndjekin në një klasë të përbashkët dhe me vetëm një mësues.

Ruzhdi Kastrati, mësimdhënës i klasës së kombinuar ku po i ndjekin mësimet nxënësit e riatdhesuar nga vatrat e lutës, thotë se në vitin e parë të shkollimit, gjendja emocionale e fëmijëve ishte shumë e rëndë.

Megjithatë, sipas Kastratit, për dallim nga viti i parë i shkollimit kur psikologu e ka vizituar klasën një herë në javë, tashmë ai vizitat tek këta nxënës i bën vetëm me kërkesën e tyre apo të stafit të shkollës.

“Në vitin e parë kur kanë ardhë nxënësit, psikologu ka qenë i rregullt, i ka vizituar thuajse çdo javë, mirëpo tani ndoshta e ka parë që nxënësit e kanë arritur një nivel të riintegrimit, adaptimit dhe tani vjen shumë rrallë. Vetëm me ftesë të nxënësve ose të personelit të shkollës”, thotë Kastrati.

Por, riintegrimin e tyre në klasa të kombinuara siç është duke u bërë aktualisht, nuk po e sheh si të duhur njohësi i çështjeve arsimore në Kosovë, Rinor Qehaja.

Sipas tij, fëmijët e familjeve të riatdhesuara nga lufta paraqesin shqetësim që kërkon zgjidhje dhe përkrahje institucionale. Andaj Qehaja thotë se MASHTI-i duhet të strukturojë inkuadrimin e tyre në sistem gjithmonë duke garantuar përfshirje të barabartë në shkollim.

- Advertisement -rrrrrrr

“Çfarëdo lloj segregimi i tyre, padrejtësisht do të ndikoj në përkeqësim të adaptimit të fëmijëve nga kthimi. Inkuadrimi i tyre fillon me eliminimin të çfarëdo paragjykimi nga komuniteti i shkollës. Paragjykimet krijohet nëse këta fëmijë etiketohet si të kthyer apo të rrezikshëm – kjo duhet të eliminohet dhe rikthimi i tyre në banka shkollore duhet të jetë sa më i natyrshëm, pikësëpari, duke ofruar rahati dhe siguri për vet fëmijët e kthyer dhe rrethin e tyre në klasë dhe shkollë”, ka thënë Qehaja.

Kurse, trajtimin e nxënësve dhe familjarëve të tyre nga ana e psikologut e sheh të domosdoshëm edhe psikologu, Naim Basha. Sipas tij, roli i psikologut në këtë drejtim është që fillimisht të punoj me prindërit, nëse është e nevojshme të trajtohen dhe të këshillohen në aspektin psikologjik dhe pastaj me fëmijët.

“Të këshillohen prindërit të mos vajtojnë kthimin para fëmijëve të tyre por të mundohen t’u shpjegojnë atyre se kjo është vendlindja e tyre dhe me fëmijët e tyre të komunikojnë vetëm në gjuhën amtare”, shprehet psikologu Basha.

Madje sipas tij ky trajtim duhet të bëhet përmes disa programeve që psikologët e angazhuar në këtë proces duhet t’i njohin, siç është “Terapia e njohjes dhe sjelljes”, e që ka të bëjë me përmirësimin e gjendjes shpirtërore, ankthit dhe sjelljes së një fëmije. Pastaj programi i quajtur “Terapia e pranimit dhe angazhimit”, e cila e ndihmon fëmijën të kuptoj dhe pranoj emocionet e tij të brendshme. “Terapia familjare” e cila fokusohet në ndihmën që familja të funksionoj në mënyrë më pozitive dhe konstruktive duke eksploruar modelet e komunikimit dhe duke ofruar mbështetje, etj.

Mirëpo, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë deklaruar se MASHTI në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, sistemimin e këtyre nxënësve në shkolla e bënë bazuar në Udhëzimin Administrativ 1/2016,

“Përcaktimi i kushteve, kritereve dhe procedurave për organizmin e mësimit plotësues për nxënësit e riatdhesuar”.Por, UA1/2016 NENI2, Sistemimi dhe mundësia për shkollim, pika 4. Thotë: “Nxënësit e kthyer, shkolla duhet t’i sistemoj në klasa të rregullta me bashkëmoshatarët e tyre me qëllim të ambientimit, socializimit dhe integrimit të tyre në sistemin e rregullt mësimor”.

Kurse NENI 5 i këtij Udhëzimi që ka të bëjë me regjistrimin e nxënësve, pika 3 thotë: “DKA-të organizojnë mësim plotësues gjatë procesit mësimor për nxënësit e kthyer në nivel të shkollës apo në klasa të veçanta”.

Ndërsa sa i përket përgatitjes së personelit dhe mbështetjes psikologjike nga ana e institucioneve, nuk është e specifikuar me këtë Udhëzim Administrativ.NENI 7, Trajnimi i zyrtarëve të DKA për integrim të fëmijëve të riatdhesuar në sistemin arsimor thotë: “MASHT në bashkëpunim me DKA-të dhe partnerët tjerë bëjnë trajnimin e zyrtarëve nga DKA të caktuar për integrim të nxënësve të riatdhesuar në sistemin arsimor”.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku, tha për BIRN Kosova se aktualisht në nivel vendi në Kosovë janë 76 psikologë dhe 59 pedagogë (për të gjitha shkollat e Kosovës), por që nuk tregoi se sa është numri i psikologëve që po merren me procesin e riintegrimit të nxënësve të kthyer nga vatrat e luftës. Ani pse, Maloku tha se MASHTI po punon që të rritet numri i këtij stafi në arsimin parauniversitar.

“Në nivel politikash, kemi në plan që të rrisim dukshëm numrin e psikologëve dhe pedagogëve në mënyrë që të ndihmojmë nxënësit të zhvillojnë potencialin e tyre më mirë, krahas adresimit të vështirësive që mund të kenë”, tha Maloku.

Riintegrimi në shkollë i nxënësve të kthyer nga vatrat e luftës po bëhet në bashkëpunim nga Ministria e Arsimit, ajo e Punëve të Brendshme dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...

Kjo është një klasë e improvizuar pas luftës në Gjakovë

Drejotresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi, ka publikuar një fotografi të një klase...