Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar greva pas kthimit në pikën zero të Ligjit të Pagave.
“Ky vendim krijon shqetësime të mëdha, ne na është thënë më 30 nëntor kur kemi pas takim me ministrin Sveçla se ligji/versioni i ri është duke u punuar dhe në atë kohë na është thënë se është se Gjykata Kushtetuese e kishte kthyer në zero. Poashtu na është thënë se është duke u punuar”, ka theksuar ai për Blic.
Sipas tij, Ministri Sveçla në takimin e 30 nëntorit “ku isha unë dhe përfaqësuesit tjerë të SBASHK-ut, ishte edhe ministrja Nagavci, na kërkoi kohë që ata të punojnë pa presione në mënyrë që të mos bëjnë gabime dhe t’ju themi të vërtetën ne, atë ditë kemi biseduar që në mars ta kemi versionin final, të thirren sindikatat, pra SBASHK-u dhe të tjerët, të merret mendimi i tyre dhe të arrihet një marrëveshje e përbashkët”.
Duke shpresuar se në fund të marsit do ta sjellin në Qeveri dhe pastaj në Parlament Ligjin e ri të Pagave, kuptohet pas marrëveshjes dhe dakordimit me sindikatat, u kujtohet edhe medieve që doli edhe një version i draftligjit edhe me tabela, të cilin ne dhe të tjerët i kundërshtuam, e tash po del se në atë kohë nuk paska pas fare version të punuar dhe se bazuar në lajmin që e pamë në medien tuaj më 13 mars, qenka formuar një komision goxha i madh”, tha Jasharaj.
“Dhe kjo po them është problematike, ngase më 2 prill është kongresi i SBASHK-ut, dhe ne do të paraqesim situatën aktuale dhe kam frikë se delegatët që e përfaqësojnë tërë sistemin e arsimit që nga parashkollorët, e deri në universitet, madje edhe ata të sektorit të kulturës do të ndërmarrin vendim për veprime sindikale. Aq më shumë jam i sigurt për këtë pasi që kemi bërë kërkesë zyrtare edhe në takim me ministrin e MASHT-it, e kemi ngritur çështjen me kërkesën modeste që, derisa nuk arrihet një dakordim me sindikatat deri në momentin kur ligji për pagat nuk fillon së implementuari ta kemi në tërë sektorin e arsimit dhe të kulturës një shtesë në paga prej 100 euro, duke u bazuar në faktin e ngritjeve marramendëse të çmimeve”.
Pra, shton ai, as nuk po kemi ligj në fund të marsit, e as shtesë prej 100 eurove në paga për ta mbrojtur fuqinë blerëse të pagave në sektorin e arsimit dhe kulturës.
“Kam frikë se më 2 prill, delegatët e nderuar të ndërmarrin veprime sindikale. Pastaj në prill ka gjasa të ketë edhe greva në sistemin arsimor. Le ta dijë opinioni për këtë, se i vetmi faktor është Qeveria Kurti, e cila i ik dialogut e takimeve me sindikatat, edhe me SBASHK-un dhe ja që nuk dihet ende fati se a do të kemi dhe kur do të kemi Ligj të Pagave”, vlerëson ai.
Nga ana tjetër, shton ai, nuk kemi as përgjigje për kërkesën tonë shumë modeste që në pagat në tërë sektorin e arsimit dhe të kulturës të kemi një shtesë në paga prej 100 euro derisa nuk do të fillonte së implementuari Ligji i Pagave.