Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës Rrahman Jasharaj i është drejtuar mediave përmes një letre ku ka sqaruar se atij i është hapur një llogari e rrejshme, në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se gjatë gjithë kohës është fyer e linçuar, porse ka menduar se kjo mbaroi me pezullimin e grevës.
“Mendova se greva u pezullua dhe se “luftën “ me mua e përfunduan langoit e sahanlëpirësit e pushtetit, por doli se kjo nuk është ashtu. Vërejta se nuk paska fund poshtërsia të ca krijesa, që ngjasojnë, por nuk janë njerëz. Unë kisha mbyllur rrjetin social sepse më fyenin e më shanin pa as edhe një arsye, por vetëm sa për t’i hyrë në qejf të madhit. Por, një mik imi më thirri dje dhe më pyeti se pse kam ndërruar qëndrimin që kisha thënë se kurrë më nuk do të hap Facebook. Mbeta i habitur dhe e mora si humor telefonatën e mikut tim, por pas ca momentesh luta shokët që kisha afër të shikonin dhe u pa. Nuk paska fund poshtërsia e të pafytyrëve sepse një individ, që fatkeqësisht ka humbur gjithë njerëzoren, paska hapur një profil në Facebook me foton time nga një emision shumë i shikuar televiziv dhe çdo gjë dukej sikur ai është Facebook-u im. Kishte bërë edhe shkarravina ky farë i pafytyri dhe të gjitha sikur unë i kam postuar. I tmerruar nga ky realitet u ndala në Pejë sot dhe shkova në polici për ta lajmëruar këtë akt penal e të dënueshëm. Policia bëri gjithë të duhurat dhe u ndjeva edhe një herë krenar që Kosova ka djelmosha e vajza të tilla që kryejnë me përkushtim detyrën e tyre”, thuhet në komunikatë të kreut të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës.
Ai ka thënë se kërkon falje nëse ndonjë mesazh fryrës nga ky profil ka shkuar.
“Të nderuar punëtorë të arsimit, por edhe në sektorët tjerë kjo dhe të tjerat dëshmojnë se duan të na përçajnë dhe të shuajnë sindikatat. Ju lus me mirësi të qëndrojmë unik dhe të mos e lejojmë këtë gjë. Pa zërin sindikal do të jemi të nënçmuar, të ofenduar e të shkelur”, ka thënë Jasharaj.