E diel, 19 Janar, 2025

Rrahman Jasharaj: Për hatër të Qeverisë deshta t’i zhduk 20 vitet e kaluara

- Advertisement1-
Nga Rrahman Jasharaj
Duke parë se Qeveria Kurti vazhdon të merret me Qeveritë në 20 vitet e shkuara dhe nuk po i del pastaj kohë për të bërë as edhe një punë në shërbim të qytetarëve, vendosa  t’i zhduk nga historia të gjitha ato vite dhe emrat e Kryeministrave dhe të Ministrave, por…
Hapa ditarin tim dhe shkova të kujtimet që kam shënuar nga Qeveria Thaçi. Lexova faktet se pagat në arsim kishin shënuar rritje prej 116 %. Po ta zhdukja këtë pjesë atëherë pagat në sektorin e arsimit, por edhe të tërë sektori publik do t’i ngjanin  ndihmës sociale. Nuk i zhduka dot këto fletë nga ditari im.

Vazhdova tutje dhe thash hajt po zhduk fletat nga koha kur Kryeministër ishte Isa Mustafa, por jo se ai bashkë me Kujtim Shalën , Avdullah Hotin e Arban Abrashin  kishin pranuar vitet e 90-ta për punëtorët e arsimit si vite kontributdhënënëse, kishin  implementuar shtesën prej 5 % për çdo vit shërbimi që mundësonte një shtesë goxha të mirë në pagë dhe kishin bërë edhe angazhime të tjera në realizim të kërkesave të SBASHK-ut. Nuk u bë hiç të zhduk as këto faqe nga ditari im.

Shkova tutje duke shfletuar dhe tash po i bëj copë copë fletët  e ditarit nga Koha e Qeverisë Haradinaj, por nuk e bëra se po të zhdukej e mos të ishte kjo kohë atëherë punëtorët e arsimit nuk do ta kishin dot Ligjin për punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës, Ligj ky që njeh atë kohë të sakrificave sublime të punëtorëve të arsimit në mbrojtje të dijes e dritës kundër errësirës që donte të mbillte pushtuesi. Ky ligj u siguron një mbështetje shtesë materiale gjithë atyre pishtarëve të dijes dhe ata janë mirënjohës e krenar për këtë. Nuk shlyhet e as nuk harrohet dot as kjo kohë e Qeverisë Haradinaj.

- Advertisement -

Mendova se e ka më lehtë ta zhduk nga ditari atë kohën e Qeverisë Hoti se zgjatim fatkeqësisht me pak, por nuk e bëra dot. Ishte kjo kohë plot sfida e vështirësi që krijoi pandemia. Kryeministri Hoti me qetësi e urtësi po angazhohej në atë kohë. Na priste në takime dhe qetazi bashkëbisedonim dhe na plotësoi  kërkesën për shtesën prej 100 euro në pagë. Ai bashkë me ministrin Likaj e zëvendësministrin Rexhaj u angazhuan sinqerisht dhe u nënshkrua edhe Kontrata Kolektive e Arsimit. Këto  fletët e ditarit tim ruajnë vetëm disa fragmente  të punës dhe angazhimeve të këtyre kryeministrave e qeverive që ata drejtonin për 20  vite dhe edhe po të kisha unë forcë magjike që të shlyeja këto  do të ishte e kotë sepse vite ato kanë mbetur në kujtesën e mësuesit e të gjithë të punësuarve në sektorin publik.

Kryeministër Kurti në këtë rrugëtim kujtimesh në ditarin tim u ndala edhe të faqet që nisen më 14 shkurt e këndej. Nuk gjeta as edhe një kërkesë të realizuar për punëtorët e arsimit, por gjeta e lexova gjithë ato deklarata ironike e fyese. Lexova gjithë ato shpifje e sharje  ndaj meje  e mësuesve të Kosovës nga njerëz të paudhë që kanë zgjedhur këtë stil të ulët të rrugëtimit vetëm e vetëm për të pasur dhuratë një buzëqeshje nga ju.

Këtë ditarin tim do të botoj pasi të pensionohem dhe prandaj Kryeministër dhe ju Qeveri mos e humbni kohën kot me 20 vitet e kaluara po punoni e angazhohuni sepse deri tani shumë keq qëndroni në faqet e ditarit tim.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

INTERVISTË| Sedat Bajrami, drejtor i shkollës “Mushnikova”: Pagat e mësimdhënësve duhet të jenë motivuese

 Nisi punën në arsim në vitin 1990, dhe ka plot 35 vjet përvoje pune....

Drejtoresha e shkollës “Elena Gjika” pret në takim themeluesin e PISA-s

Shkolla "Elena Gjika" në Prishtinë ka njoftuar se drejtoresha Zana Zeqiri ka pritur në...

Nxënësit e shkollës “Vaçe Zela” kujdesen çdo ditë për bimët e mbjella në kopshtin e shkollës

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka publikuar foto të nxënësve të shkollës “Vaçe Zela”,...

Pensionohet mësuesi Sadik Krasniqi nga Drenasi pas 42 viteve në arsim

Sot, në një ditë plot emocione dhe mirënjohje, nxënësit, kolegët dhe banorët e Llapushnikut...