Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se ndër kërkesat e tyre kryesore është rritja e pagave.
Ai tha se Sindikata është e gatshme për dialog me Qeverinë, por edhe për veprime sindikale, duke mos e përjashtuar në këtë kuadër as grevën.
“Dialog nuk kemi me kë, nuk kemi as qeveri. Në këtë mënyrë, edhe me Ligjin për organizimin sindikal, edhe me ligjin për greva, fillimisht duhet provuar me dialog. Nëse dialogu nuk ka asnjë rezultat të shkohet me veprime sindikale. SBASHK-u është i përgatitur për të dyja, edhe për dialog, edhe për veprime sindikale, por është në pritje të formimit të institucioneve, gjegjësisht të Qeverisë, më konkretisht të Minsitrisë së Arsimit. Kërkesa më e ngutshme është kontrata kolektive, ngase ne dhe sektorët e tjerë nuk kanë kontratë kolektive, sepse në Ligjin e Punës thuhet të bëhet nënshkrimi i kontratës kolektive çdo tri vjet. Në këtë situatë jemi nga rastet e rralla në Kosovë ku nuk ka as marrëveshje kolektive, as dialog e as kontratë kolektive”, tha Jasharaj.
Ndër kërkesat kryesore të Sindikatës së Arsimit janë rritja e pagave, kushtet më të mira nëpër shkolla dhe sigurimi i teksteve shkollore me kohë që nga klasa e parë deri në të nëntën.
“Me të filluar të ekzistimit të institucioneve do të jetë kontrata kolektive, nënshkrimi nga ne dhe Minsitrai e Arsimit. Është normale që do të kërkojmë paga më të mëdha, sepse kemi mbetur prapa me kolegët tanë në Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Do të insistojmë për kushte pune, sepse nuk mund të arrihen ato që duhet. Mësimdhënësit janë të përkushtuar, por me kushtet që i kanë nuk mund të arrijnë objektivat e dëshiruara. Për kushtet e punës duhet angazhim më i madh i qeverisë dhe shtetit. Të ndajnë mjete që të kemi shkolla të shekullit 21 e jo të shekujve të kaluar, me shpuza e shkumësa dhe me tekste që vazhdimisht vonohen”, shtoi ai.
Jasharaj kërkoi që institucionet të angazhohen më shumë, në mënyrë që shkollat në Kosovë të jenë të denja për shekullin 21 dhe jo me kushte të kohëve të kaluara.
“Do të angazhohemi me ministrinë e re që tekstet shkollore të bëhen si dikur dhe librat t’i kemi në shkollë në javën e parë të shtatorit dhe të kemi libra të rinj që nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Nëse nuk kemi laptop për nxënësit, të paktën të kemi libra të rinj për të gjithë nxënësit”, tha Jashari për EkonomiaOnline.