Kryetari i Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, tha se shtatori në vend të ziles dhe të shkollave me nxënës do t’i gjejë institucionet e arsimit që nga çerdhet e deri në universitet në grevën e përgjithshme.
Jasharaj ka deklaruar se greva e paralajmëruar për muajin shtator nuk është dëshirë e SBASHK-ut por janë të detyruar pasi Qeveria nuk donë që çështjet të zgjidhen me dialog, SBASHK-u do të detyrohet të hyjë në grevë të përgjithshme në shtator.
“Fatkeqësisht shtatori në vend të ziles dhe në vend të shkollave me nxënës do t’i gjejë institucionet e arsimit që nga çerdhet e deri në universitet në grevën e përgjithshme, hap ky i cili nuk është dëshirë e jona por e kemi shfrytëzua të gjitha mundësit tona por qeveria Kurti fatkeqësisht vazhdon të jetë ajo e njëjta, pra e barrikaduar e cila nuk e do dialogun”, tha tutje Jasharaj në Tëvë1.
Jasharaj deklaroi se SBASHK-u ka përdorur të gjitha mënyrat e mundshme të dialogojë me Qeverinë dhe të gjejnë një zgjidhje të përgjithshme mirëpo sipas tij, të gjitha këto përpjekje nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.
“Qeveria Kurti që nga fillimi kishte një qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe nuk e pranonte dialogun, kjo bëri që ne sindikatat, SBASHK-u dhe të tjerët të fillojmë edhe me veprime të përshkallëzuar sindikale. Fatkeqësisht angazhimi yni nuk dha ndonjë rezultat dhe prandaj ne duke u konsultuar me këshillin drejtues dhe me organet e tjera të SBASHK-ut e pamë të udhës që me kohë ta njoftojmë opinionin, pra qytetarët e Republikës së Kosovës se fatkeqësisht asnjëri nga angazhimet tona për dialog dhe për zgjedhjen e kërkesave legjitime me qeverinë që nuk dha rezultate”, tha ai.