Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se rezultati nuk është befasues, pasi është reflektim i gjendjes në shkollat tona.
“Shkaqet janë të shumta. Burimi i tërë problemit është dështimi i institucioneve për të garantuar një mësimdhënie cilësore dhe një mësimdhënie që shkon përtej memorizimit, por që do nxiste logjikën dhe interaktivitetin në klasë dhe u zhvillon ato shkathtësi dhe aftësi të rinjve tanë që iu shërbejnë për jetë. Kjo na reflektohet drejtpërdrejt edhe në rankim dhe në rezultate të testit PISA. Pra rezultati në vete nuk është befasues, pasi është reflektim i besueshëm dhe statistikisht valide se cila është gjendja në shkollat tona”, tha ai.
Qehaja shtoi që ajo që duhet të garantojnë institucionet tona janë zbatimi i kurrikulave, duke mundësuar që ato të gjejnë zbatim dhe përkrahjen e duhur për mësimdhënësit.
“Institucionet duhet të garantojnë që kurrikulat të bazuara në kompetencë dhe po gjen zbatim në shkollat tona që mësimdhënësit tanë e kanë përkrahjen e duhur me zhvillim profesional që ta ofrojnë një mësimdhënie atraktive që nxit përfshirjen e nxënësve dhe me e rëndësishme duhet të garantojnë mekanizma të mirëfilltë që dëshmojnë dhe garantojnë që mësimdhënia që na ofrohet në shkollat tona bëhet në komfort standardeve të pritshmërisë për një cilësi më të mirë”, tha ai.
Ai theksoi që këto rezultate janë reflektim i gjendjes reale dhe asaj të vërtete në vend, dhe se shqetësimi ndërkombëtarë në këtë rast, sipas tij nuk është shqetësim i madh, por më i madh duhet të jetë shqetësimi ndaj të rinjve të cilët po ekspozohen ndaj një sistemi arsimor që nuk po iu ofron asgjë.
“Këto rezultate janë reflektim i gjendjes së vërtetë dhe si të tilla prezantimi ndërkombëtar duhet të jetë shqetësimi më i paktë. Ai më i madhi duhet të jetë përgjegjësia karshi të rinjve të këtij vendi, të cilët po ekspozohen ndaj një sistemi arsimor dhe është padrejtësi sepse tash u bënë vite duke u ofruar asgjë”, tha Qehaja. /EkonomiaOnline/