Për mirëqenien e mësimdhënësve me probleme shëndetësore, është kërkuar në vazhdimësi nga Sindikata e Arsimit që të mbështeten, e herë pas here të lirohen edhe nga detyra.
Vitin e kaluar Ministria e Arsimit pati ndarë një grant prej 1 milion e 700 mijë euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, nga i cili përfituan rreth 300 mësimdhënës. P
Por, për këtë vit ende nuk dihet nëse ka vazhduar mbështetja për ta, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.
Rinor Qehaja, nga “Instituti EdGuard”, tha se mirëqenia e mësimdhënësve është përgjegjësi institucionale.
“Mësimdhënësit me probleme shëndetësore që janë prezentë në sistemin arsimor, duhet të përkrahen, të vazhdohet të përkrahen dhe të kemi një legjislacion të qëndrueshëm, që garanton këtë përkrahje. Nuk guxojmë që asnjë mësimdhënës me shëndet jo të mirë të imponohet për të prezantuar në klasë. Jemi të interesuar në mirëqenien e çdo mësimdhënësi, por në të njëjtën kohë edhe në cilësinë e rritur të mësimdhënies në klasë”, ka thënë Qehaja.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje për Radio Kosovën, nëse do të vazhdojë mbështetjen për mësimdhënësit me probleme shëndetësore. Vitin e kaluar pati ndarë grantin prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa pat premtuar se do të punojnë në infrastrukturën ligjore, që secili mësimdhënës ta kryejë punën e vet pa shqetësimet që ia sjell shëndeti.