Xhavit Rexhaj, ekspert i çështjeve të arsimit, ka thënë se aktualisht sot nuk është e qartë situata në arsim, duke theksuar se ka mungesë të orientimit në drejtim të nevojave të shoqërisë.
Ai ka theksuar se problemi me arsimin në Kosovë është se nuk dihet roli dhe qëllimi i shkollës brenda një shoqërie.
“I kemi 23 mijë arsimtarë dhe 1000 shkolla, si i shfrytëzojmë këtë armatë, çka bëjmë me to. Mësimdhënie, notim, vlerësim. Nxënësit shkojnë marrin nota edhe pse e mësojnë mësimin përmendësh. Ne kemi problem në konceptualizimin e shkollës. Çka duan të bëjnë ata me bë për shoqërinë, çka ka nevojë shoqëria prej tyre”, ka thënë Rexhaj në emisionin Konfront në KTV, transmeton Koha.net.
Rexhaj ka shtuar se shkollat shqipe sot nuk dihet se çfarë roli kanë.
“Arsimi ka qenë në kohën osmane kanë qenë medresetë shkollat fetare, dikur janë hapur shkollat shqip, por jo në mënyrë organike, jo si mjet apo institucion që e ndihmon njerëzit dhe shoqërinë. Nëse mendojmë cili është misioni i shkollës, në vitet 70 e kemi ditur që ajo shkollë ka dashur ta bëjë njëfarë subjektiviteti të Kosovës. Në të 90-tat e ka ruajtur atë subjektivitet të Kosovës, sot nuk jam i sigurt se e dimë çfarë bëjmë ne me shkollën”, ka deklaruar Rexhaj.