Në një kohë kur shpesh flitet për rënien e interesimit të të rinjve për librin, shkolla fillore “Agim Ramadani” po dëshmon se kultura e leximit dhe krijimtarisë mund të kultivohet me përkushtim dhe punë të vazhdueshme.
Një nga dëshmitë më konkrete të këtij angazhimi është revista shkollore “9 Yjet”, e cila sjell në fokus talentin, arritjet dhe krijimtarinë e nxënësve, si dhe punën e mësimdhënësve.
Përmes faqeve të saj prezantohen krijime letrare, punime artistike, aktivitete dhe suksese të ndryshme, duke pasqyruar jetën arsimore dhe kulturore të shkollës.
Botimi synon të motivojë nxënësit të zhvillojnë shprehitë e leximit dhe shkrimit, si dhe t’u ofrojë një hapësirë ku talenti dhe idetë e tyre të marrin vlerësimin e merituar. Revista shërben njëkohësisht si një pasqyrë e punës edukative që zhvillohet në shkollë dhe si një nxitje për promovimin e vlerave të dijes.
Revista “9 Yjet” është konceptuar dhe realizuar nga mr. Dashmire Ymeri, me qëllim promovimin e dijes, talentit dhe krijimtarisë së nxënësve. Ndërkaq, botimi i edicionit të sivjetmë është mundësuar falë mbështetjes financiare të Shtëpisë Botuese “Dukagjini”, e cila ka kontribuar në realizimin e këtij projekti arsimor dhe kulturor.
Ky bashkëpunim vlerësohet si një shembull i mbështetjes së iniciativave që promovojnë arsimin, kulturën dhe zhvillimin e talenteve të reja, duke dëshmuar se investimi në librin dhe krijimtarinë e fëmijëve është investim për të ardhmen.
