Rënia e numrit të nxënësve nëpër shkolla, sidomos te ato në zonat rurale

- Advertisement5 -

Ora e mësimit e arsimtarit Fidan Topalli tingëllon më shumë si heshtje.

- paragrafi 1 -

Në klasën e tij, dikur të mbushur me zëra fëmijësh dhe vrapime në oborr, sot nuk ka nxënës të mjaftueshëm as për të formuar një ekip futbolli.

- Advertisement - M1

Pamjet e fëmijëve që lozin së bashku duken gjithnjë e më të largëta për shkollën fillore “Skenderbeu” në fshatin Jezerc të Ferizajt, raporton Kallxo.com.

Një të mërkurë, kur arsimtari i nxori nxënësit jashtë për orën e edukatës fizike, oborri nuk u mbush me lojë e gjallëri pasi ishin vetëm 4 nxënës.

- Advertisement - m2

“Është pak problem me u zhvillu lënda e Edukatës Fizike sepse ka pak nxënësa. Po mirëpo i kemi disa sporte individuale të cilat mundesh me u mirrë me ta me ju pru motiv. Janë disa lojë që mundesh me i zhvillu një me një. Po është shumë problem”- tha Fidan Topalli, arsimtar në shkollën e Jezercit.

Rënia e numrit të nxënësve ndër vite po rrezikon shkollat në zonat rurale dhe Fidan Topalli e vëren këtë më së miri në krahasimin që i bën procesit mësimor në lëndën e tij me shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj, ku ai gjithashtu është mësimdhënës.

“Atje ka më shumë nxënës edhe shumë vërehet krahasimi. Për shembull, nëse e zhvillon një orë me tre nxënësa edhe një orë me 30 nxënësa, motivi ndryshe është te ata 30 nxënës, ndryshe është këtu me tre nxënës. Unë mendoj që kjo shkollë i plotëson kushtet për me u mbush me nxënësa. Zakonisht 90% të kohës luaj edhe unë me ta. Duhet me qenë unë prezent nonstop. Pa mua këta as nuk ja nisin lojës. Domethënë unë duhet me hy ose me lujt ose me u bë portier ose lojtar duhet me ju ba si nxënës përndrysh nuk funksionon ora e Edukatës Fizike”- shtoi ai.

Shkolla në Jezerc nuk është rasti i vetëm në vargun e shkollave rurale të cilat viteve të fundit janë duke përjetuar zbarzje të shpejtë, deri në mbylljen totale si pasojë e rënies së numrit të nxënësve.

Kjo situatë që po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe socializimin e fëmijëve. Shkolla në Jezerc dikur numëronte deri në 400 nxënës.

Klasat ishin të mbushura, oborri gumëzhinte nga zërat e fëmijëve dhe shkolla ishte zemra e fshatit.

Sot, kjo shkollë mezi arrin të mbajë hapur dyert me më pak se 30 nxënës.

“Prej viteve të 80 e këndej ka pasur rënie  të numri të nxënësve. Po vitet e fundit ka qenë numri më i madh që ka ra. Përndryshe në kohën e fundit këto dy tre vitet e fundit nuk kemi lëvizje të nxënësve. Përkundrazi po besojmë që ka me ka me pas një rritje të numrit të nxënësve këtu për shkak që kanë filluar njerëzit këtu me biznese, me restorante, me villa, me edhe është një shpresë që ka mundësi me një të arme të afërt me pasur rritje të numrit të nxënësve”- tha drejtori i shkollës Burim Uksmajli.

Sipas Afrim Llabjanit, drejtor i Arsimit në Ferizaj, rënia e nxënësve vjen nga lëvizja e popullsisë, kryesisht nga fshatrat në qytet. Ai thotë se komuna është duke monitoruar situatën me numrin në rënie të nxënësve ndërsa nuk përjashton masë drastike, deri në mbylljen e shkollës në rast se trendi i rënies vazhdon.

“Drejtoria e Arsimit në vazhdimësi ka qenë në kontakt me drejtuesit e shkollës dhe Këshillin Fshatit, që në momentin kur numri i nxënësve bie deri në atë masë sa detyrohet të mbyllet shkolla ne kemi planifikaur sigurimin e bartjen e nxënësve në shkollën më të afërt”- tha ai.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=59&loc=https%3A%2F%2Fkallxo.com%2Fgjate%2Fas sa per nje ekip futbolli zbrazja e shkollave le pasoja ne socializimin e nxenesve%2F%3Ffbclid%3DIwY2xjawQ02BxleHRuA2FlbQIxMABicmlkETE5c1dKRTVuanJxSFFqbnpac3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHmeUUr 8zLsD9eIkMRd7dEeRoajiLsDsX jA

Sociologu Labinot Kunushevci thotë se klasët me pak nxënës ndikojnë negativisht në procesin e socializimit të fëmijëve. Ai thotë se numri ideal i nxënësve brenda një klase duhet të sillet ndërmjet 15-20, gjë të cilën një shkollë si ajo në Jezerc nuk e ka parë një kohë të gjatë.

“Fëmijët duke qenë të kufizuar në numër, janë të kufizuar edhe në mundësi, shprehje kreativiteti, ndërmarrje të përbashkëta në projekte e aktivitete shkollore etj. Pasojat shprehen në aspektin e njohjes së ndërsjellë dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në zbehjen e inteligjencës sociale”- ka shtuar ai.

Ndërsa situatë e ngjashme është hasur edhe në një shkollë në territorin e Podujevës.

Në shkollë “Jah Hasani” në fshatin Bërvenik, mësimin e ndjekin vetëm nëntë nxënës, ndërsa klasat e 5-ta dhe të 8-ta janë shuar plotësisht. Në këtë shkollë janë të angazhuar tre mësimdhënës më shumë se që ka nxënës.

Por iniciativat për bartjen e nxënësve në një shkollë tjetër duket se janë stopuar pas një kërkese të prindërve.

“Prindërit kanë kërkuar që nxënësit mos të barten në një shkollë tjetër, por të vazhdojmë mësimin në shkollën e tonë që jemi tani duke punuar. Para tre viteve ka qenë një kërkesë prej Ministrisë së Arsimit, por ata kur e kanë marrë pëlqimin nga prindërit, domethënë prindërit e kanë pasur pëlqimin që mësimin me vazhduar në shkollën tonë edhe nuk e kanë përsëritur më atë dhe ne jemi duke punuar”- ka theksuar Arsim Sekiraqa, përgjegjës i shkollës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në një përgjigje përmes emailit, thotë se para dy viteve ka përcaktuar kriteret kur një institucion arsimor duhet të pushojë së ekzistuari në rast të numrit të vogël të nxënësve.

MASHTI thotë se deri tani 14 shkolla kanë pushuar veprimtarinë e tyre.

“Sa i përket vlerësimeve ndërkombëtare, vërehet se në shkollat ku numri i nxënësve në klasë është më i vogël se 15, rezultatet mesatare janë më të ulëta krahasuar me klasat me numër më të madh nxënësish. I njëjti trend evidentohet edhe në testin kombëtar të arritshmërisë. Kjo lidhet kryesisht me faktin se klasat me numër shumë të vogël nxënësish ndodhen kryesisht në zona rurale”- ka thënë MASHTI.

Planet për reduktim të shkollave mund të bëhen më të domosdoshme në vitet në vijim ndërsa Kosova po përballet me rënie të numrit të përgjithshëm të nxënësve.

Ministria e Arsimit thotë se që nga viti 2021 kur Kosova kishte 224,426 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, në vitin 2025 numri ka rënë në 204,542 nxënës, apo rreth 20 mijë më pak.

Drejtori i Arsimit në Podujevë ka theksuar se rënia e numrit të nxënësve ka ndikuar negativisht në socializimin e tyre.

Ai bën të ditur se do të ketë bisedime me banorët dhe mësimdhënësit për të gjetur një zgjidhje të përbashkët në të mirën e nxënësve të kësaj shkolle.

“Kemi disa shkolla siç është shkolla e Bërvenikut që është në vijë kufitare edhe jemi zotuar që deri në nxënësin e fundit t’i lëmë të hapura. Mirëpo në të njëjtën kohë jemi shumë të interesuar që dhe ata nxënës me atë numër aq të vogël që janë atje t’i socializojmë me disa aktivitete që janë kulturore, kuiz e kështu me radhë me shkollën më të afërt që është shkolla Zahir Pajaziti në Orllan me të vetmin qëllim që nxënësit në fjalë të socializohen”- tha Avni Fetahu, drejtori i Arsimit në Podujevë

Në Rahovec aktualisht një shkollë numëron rreth 70 nxënës. Sipas drejtorit të shkollës “Sulejman Vokshi” në fshatin Polluzhë, rënia e numrit të nxënësve ka ardhur si pasojë e migrimit të brendshëm dhe atij jashtë vendit.

Veçanërisht shqetësuese është klasa e 8-të, e cila ka vetëm tre nxënës.

“Fillimisht fshatarët i kanë mësy gurbetit kështu që gradualisht me kohën kanë marrë dhe familjet e veta edhe fëmijët e tyre. Mirëpo ka dhe migrim të brendshëm që është shpërfaqur shumë në kohët e fundit. Njerëzit gravitojnë nëpër qendra të mëdha”- shtoi Sinan Bajraktari, drejtor i shkollës “Sulejman Vokshi” në Polluzhë.

Drejtori i Arsimit së Komunës së Rahovecit, Muhamet Morina, thekson se, pavarësisht numrit të vogël të nxënësve, institucionet arsimore do të angazhohen që të ofrojnë mësim cilësor.

Ai paralajmëron se në të ardhmen mund të jetë e pashmangshme ndërmarrja e reformave për rrjetëzimin e shkollave.

“Një ditë do të detyrohemi për shkak të mungesës së numrit të nxënësve që t’u futemi reformave pikërisht rrjetëzimin e shkollave sepse e di që do të hasim në rezistenca në rezistencë për reforma një ditë duhet filluar dhe unë mendoj që këto këta nxënës 100% do të jetë për ta procesi i mësimit i mësimnxënies do të jetë më cilësor sesa aty ku momentalisht jam duke ndjekur mësimet, pra aty ku janë vetëm katër pesë nxënës”- theksoi Muhamet Morina, drejtor i Arsimit në Rahovec.

Ndërkaq ky fenomen është evidentuar edhe në zonën e Rimanishtës afër Prishtinës ku në shkollën “Nexhmi Mustafa” paralelja 3 dhe 9 nuk ekzistojnë fare këtë vit.

Shkolla aktualisht ka 27 nxënës, ndërsa klasat 4 dhe 6 kanë vetëm nga dy nxënës.

“Nëse një fshat mbetet pa shkollë, nga ai fshat ka me emigru edhe pjesa tjetër e banorëve që janë mbetë. Për shembull 40 shtëpi ose 50 shtëpi nëse nuk ka shkollë në atë fshat ma merr mendja që kanë me pas si arsye për me me braktis fshatin”- ka thënë Besim Arifi, sekretar i shkollës “Nexhmi Mustafa” në Rimanishtë.

Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, thotë se rënia e numrit të nxënësve në disa shkolla, veçanërisht në zonat periferike dhe rurale, është pasojë e drejtpërdrejtë e migrimit të familjeve drejt zonave urbane, mungesës së mundësive ekonomike dhe prirjes së prindërve për t’i regjistruar fëmijët në shkolla në qytet.

Ndër vite është vërejtur një rënie e numrit të banorëve dhe, rrjedhimisht, edhe e nxënësve në këtë zonë.

“Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rënie janë migrimi i familjeve drejt zonave urbane për arsye ekonomike dhe sociale, mungesa e mundësive të punësimit, si dhe tendenca e prindërve për të regjistruar fëmijët në shkolla që ndodhen në qytet”- tha ai.

Kosovo Education Center, KEC, një OJQ që merret me çështje të arsimit, tha në një përgjigje për KALLXO.com se klasat me pak nxënës dhe klasat e kombinuara dëmtojnë socializimin, bashkëpunimin dhe cilësinë e të nxënit, duke krijuar pabarazi mes nxënësve ruralë dhe urbanë.

Kjo organizatë thotë se investimet e deritanishme në arsim janë bërë pa një planifikim paraprak.

“Për fat të keq, investimet kapitale në shkollat e Kosovës janë bërë pa një analizë të trendeve demografike, prandaj edhe sot kemi shumë shkolla që janë gjysmë të zbrazëta ose kanë mbetur të braktisura. Jemi të mendimit se investimet e tilla duhet të ndalen dhe, tani e tutje, secili investim duhet të jetë mirë i justifikuar duke marrë parasysh edhe trendet demografike”.