Nëse deri tani e keni këshilluar fëmijën tuaj, që kur shkon në shkollë t`i japë rëndësi matematikës dhe fizikës, se lëndët e tjera janë “kot”, ju lutem mendohuni edhe një herë.
Shkencat ekzakte nuk kanë nevojë të rivalizohen me shkencat shoqërore. Sociologjia, Psikologjia, Filozofia, apo dhe Arti Pamor apo Edukimi Fizik, janë lëndë që duhet të kenë rëndësinë e tyre dhe madje të fuqizohen edhe më shumë. Prindërit duhet të njohin dhe studiojnë aftësitë dhe prirjet e fëmijëve duke i inkurajuar ata dhe jo duke i ndaluar apo frustruar.
Roli i prindit është i pazëvendësueshëm në shtëpi, në mënyrën se si ai ja prezanton shkollën, mësuesin, dijen fëmijës së tij. Dija dhe edukata lidhen fort së bashku dhe ajo kërkon rrugët dhe metodat e duhura. Shkolla nuk është vetëm institucion ku merren njohuri të reja, por edhe disiplina, promovohen vlera, nxiten potenciale dhe krijimtaria. Për këtë ndihmojnë edhe lëndët e ndryshme që janë të përcaktuara në kurrikula. Dikur, por ndoshta edhe sot ende ekziston stereotipi për disa lëndë shoqërore të cilat konsiderohen si të lehta, apo si të pa vlera. Këta prindër mund t`i këshillojnë fëmijët e tyre që të mësojnë më tepër lëndët ekzakte pasi ato kanë rëndësi dhe ndihmojnë në profesionin e të ardhmes.
Ka ardhur koha që të vlerësohen jo vetëm të gjitha lëndët, por edhe t`i jepet më shumë rëndësi në këtë realitet, i cili kërkon aftësi të shumëllojshme.
1. Rëndësia e lëndëve shoqërore
Jo vetëm matematika apo fizika është shkencë, por edhe sociologjia. Sociologjia merret me studimin e shoqërisë, modeleve të marrëdhënieve shoqërore, bashkëveprimit shoqëror dhe kulturës së jetës së përditshme. Sociologjia është shkencë e cila në studimet e saj periodike të fenomeneve shoqërore, jep mundësinë për zhvillim dhe mirëqenie. Ndër të tjera edhe psikologjia apo lëndë të ngjashme, janë mëse të nevojshme në procesin e edukimit të fëmijëve.
Ja disa përfitime:
a. Njohuri më shumë për ligjin.
Fakti që njohuritë për ligjin në vendin tone janë të pakta është nga vënia në hije të lëndëve shoqërore. Edukata shoqërore mësohet që në nivelin bazë të arsimit, ku fëmijët mësojnë mbi rregullat në familje, si të sillen në klasë, rrugë etj. A nuk është kjo baza e njerëzimit dhe ajo që po kërkojmë ҫdo ditë. Atëherë ka ardhur koha t´i kushtohet më shume vëmendje njeriut, humanitetit, shpirtit, shoqërisë dhe harmonisë midis njëri tjetrit.
b. Ndërton konceptin mbi veten dhe marrëdhëniet njerëzore.
Vetëm vitet e fundit pas peticionesh dhe kërkesash nga akademikë të fushës, filozofia u rivendos si lëndë me detyrim në shkolla. Ndoshta nxënësit e perceptojnë si lëndë abstrakte dhe pak të dashur në fillim, por filozofia është e nevojshme për ngritjen peshë të shpirtit të njeriut si një reflektim mbi ekzistencën dhe mënyrën sesi mund ta jetojnë jetën me vlera. Të nxitësh nxënësit të lexojnë filozofi do të thotë t´i ftosh ata drejt dijes dhe humanitetit.
c. Forcim i traditës
Në lëndët shoqërore studiohen edhe fragmente mbi zakone të shumta që ka pasur populli ynë ndër shekuj. Kjo jo vetëm si histori por edhe si forma bazë me të cilat kanë jetuar familjet vendase për vite me radhë. Ndaj duke i dhënë rëndësi lëndëve shoqërore, realizojmë synimin për t´i trashëguar këto zakone duke i përcjellë shumë prej tyre edhe si vlera për brezin e ri.
d. Koherencë me kërkesat e tregut të punës
Sot tregu i punës nuk kërkon vetëm profesionistë të cilët dinë të bëjnë punën e tyre, por edhe njerëz të cilët të jenë të aftë të komunikojnë, të sjellin ide të reja, të kenë risi në punë, të bashkëpunojnë me kolegët etj. Këto dhe aftësi të tjera ndërpersonale, gjenden, mësohen dhe praktikohen përmes lëndëve të shkencave humane.
2. Rëndësia e pikturës
Kohët e fundit artet në shkollat tona si lëndë e mban emërtimin “Art pamor” dhe kryhet një orë në javë deri në klasën e 9-të. Mësimdhënia përmes arteve mund të paraqesë koncepte të vështira vizualisht, duke i bërë ato më të lehta për t’u kuptuar. Artet pamore i mësojnë nxënësit për ngjyrën, planin, këndvështrimin dhe ekuilibrin. Në një studim në shkollat publike të Misurit në vitin 2010 zbuloi se integrimi i pikturës në mësimdhënie, çoi në më pak shkelje disiplinore dhe frekuentim më të lartë të shkollës. (A Study of Fine Arts Education in Missouri School Districts Funded by the Missouri Arts Council, By Leslie Scheuler)
a. Arti dhe personaliteti
Udhëzimet për art ndihmojnë fëmijët me zhvillimin e aftësive motorike, aftësive gjuhësore, aftësive sociale, vendimmarrjes, marrjes së rreziqeve dhe krijimit të aftësive. Lëndët e artit
inkurajojnë vetë-shprehjen dhe kreativitetin dhe mund të ndërtojnë vetëbesim, si dhe ndjenjën e identitetit individual.
Përvojat e arteve nxisin mendimin kritik, duke i mësuar studentët të marrin kohë për të qenë më të kujdesshëm dhe më të plotë në mënyrën se si ata e vëzhgojnë botën.
b. Integrimi i vizatimit në matematikë
Prezantimi i parë që iu bëhet fëmijëve me matematikën mund të realizohet fare mirë përmes vizatimit. Puna në art i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi krijuese për zgjidhjen e problemeve. Fëmijët nisin të mbledhin fruta apo tˋi grupojnë ato sipas ngjyrës dhe madhësisë. Të mësuarit përmes lojës dhe argëtimit është shumë efektive dhe nuk i lodh fëmijët përkundrazi, i fton ata të mësojnë edhe më shumë.
c. Piktura si mesazh
Përmes vizatimeve, fëmijët mund të shprehin edhe gjendjen e tyre emocionale. Ka shumë raste kur psikologët në seancat që zhvillojnë me fëmijë, përdorin vizatimin si mjet për të identifikuar një shqetësim të brendshëm tek fëmijët. Skica, ngjyrat, vendosja e objekteve kanë një kuptim të caktuar të cilat mund të japin mesazhe shumë domethënëse. Madje edhe prindërit mund të kuptojnë gjendjen emocionale të fëmijës, frikat, apo dëshirat.
3. Lënda e Edukimit Fizik
Në botën e internetit, ku argëtimi, koha e lirë duket sikur po iu kushtohet teknologjisë, fëmijët po shtojnë problemet me shëndetin sidomos me mbi peshën. Fiskultura është një nga lëndët që përfshin një numër aftësish të ndryshme në një sport të tillë si forca, fleksibiliteti, shpejtësia, ekuilibri, koordinimi, fuqia dhe disiplina.
a. Edukimi Fizik dhe shëndeti
Obeziteti në fëmijëri është quajtur me të drejtë një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik për shekullin e 21-të. Në Shqipëri, mbipesha dhe obeziteti janë një faktor risku i rëndësishëm për shëndetin, veçanërisht për sëmundjet jo të transmetueshme. Ky faktor risku vepron që në moshën e fëmijërisë. Të dhënat e një studimi të kryer nga ISHP-ja (36) treguan që 15.2% e fëmijëve të moshës 9-10 vjeç janë mbipeshë, prej të cilëve 3.8% janë obezë. (Vlerësimi i obezitetit në moshën fëminore, ISHP, 2013). Në lidhje me këtë rritje të frikshme të shifrave, Ministria e Arsimit e pa të arsyeshme të shtojë orët e lëndës së fiskulturës. Ndaj dhe vitet e fundit nxënësit zhvillojë mesatarisht dy orë fiskulturë në javë. Gjithsesi kësaj lënde nuk i jepet rëndësia që i takon duke u konsideruar përgjithësisht si një orë mësimore pa ndonjë vlerë të caktuar. Sidomos adoleshentët kanë më shumë nevojë se kurrë të jenë të përfshirë në orë të tilla të cilat vënë në lëvizje trupin dhe nxirret energjia e tepërt.
b. Faktor argëtimi
Pjesëmarrja në aktivitete fizike ndër të tjera është argëtim për nxënësit. Fëmijët mësojnë mbi trupin e tyre, sesi të hidhen, rrotullohen dhe të ndihen të motivuar. Pas disa orësh të ulur në klasa
të mbyllura, nxënësit dalin nga korniza e të qëndruarit ulur, drejt një nevojë për të lëvizur dhe eksploruar.
c. Nxit punën në grup
Aktiviteti fizik iu siguron fëmijëve mundësinë për të komunikuar me fëmijë të tjerë duke qenë bashkë si një ekip, dhe gjithashtu për t’u angazhuar me të rritur të tjerë. Fiskultura është gjithashtu një sport sfidues që kërkon përqendrim dhe disipline e cila nxitet më shumë kur realizohet përballë të tjerëve.
*Autorja është sociologe e njohur nga Shqipëria
/ Albanian Education