Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me projektligjin ri të pagave është përcaktuar edhe një sistem uniform i pagave, sipas të cilit do të ulen dallimet e pagës në mes të profesioneve dhe pozitave.
Kurti tha se me ligjin e shfuqizuar të pagave, një zyrtar ka marrë shtesa më shumë se paga vjetore e një qytetari të thjeshtë.
“Shtesat mujore për dekanë, rektor e prorektor e kanë arritur vlerën e 1700-1800 eurove në muaj me projektligjin e vjetër”, tha Kurti.
Ai tha se me ligjin e ri do të apikohet një sistem uniform i pagave.
“Me përcaktimin e të drejtës në pagë të aplikohet një sistem uniform dhe i vlefshëm për të gjithë punonjësit në mënyrë që të eliminohen padrejtësisë dhe diskriminimi, që parmes nivelizimit të ulen dallimet në mes të profesioneve dhe pozitave të barazvlefshme si dhe edukimi dhe përvoja e kriteret e kërkuara për një pozitë të vlerësohen gjatë përcaktimit të koeficienteve”, tha Kurti.
Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla, tha se puna për dy ligjet jetike të administratës publike po hyn në fazë të re, në konsultime publike.
Sipas tij, procesi i konsultimit publik është me rëndësi të jetë kuptimplotë de jo vetëm një hap procedural, andaj i ftoi të gjithë për të dhënë kontributin e tyre.