Rektori i UP-së pret studentet e Fakultetit Juridik që zunë vendin e 6 në botë

- Advertisement -

Ekipi i Fakultetit Juridik që zuri vendin e gjashtë në botë në garën ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025” u prit sot nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari.

- paragrafi 1 -

Studentet Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu, të shoqëruara nga dekani i Fakultetit Juridik, prof. Avni Puka dhe trajnerja e tyre Nisa Ferati, treguan në Rektorat rrugën dhe sfidat deri te suksesi i jashtëzakonshëm.

- Advertisement -

Rektori Hajrullahu tha se e ardhmja u takon të rinjve e të rejave të vendit, ndërsa theksoi se me rezultate të tilla dhe lajme të mira, studentet garuese i bënë krenarë Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik, familjet e tyre dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Rektori më tutje u bëri thirrje pjesëmarrësve të garës „Nuremberg Moot Court 2025” që t’i motivojnë edhe kolegët dhe koleget e tyre, ndërsa në të ardhmen të bëhen trajnerë të ekipeve në garat juridike ku do të paraqiten studentët e UP-së, derisa dekani Avni Puka tha se studentët që arrijnë rezultate të tilla duhet të ndihen gjithnjë pjesë e Universitetit të Prishtinës.

Në garën ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025” në fazën e shkrimit të memorandumeve morën pjesë 140 ekipe të fakulteteve juridike nga universitetet më prestigjioze të botës.

- Advertisement -

Gjatë garës në të cilën u simuluan praktikat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), studentet e Fakultetit Juridik treguan përgatitje të lartë profesionale në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare përballë jurisë së përbërë nga juristë të njohur botërisht.
Garueset nga Universiteti i Prishtinës së pari u kualifikuan në mesin e 40 ekipeve më të mira, e pastaj në rundet finale me gojë, arritën vendin e gjashtë.

Trajnerë e mentorues të ekipit të UP-së, përveç Nisa Feratit, ishin edhe asst. Besnik Beqaj dhe Argjira Asllani, studente e dalluar dhe pjesëmarrëse në garën e vitit 2023.

Rundet finale të “Nuremberg Moot Court 2025” u zhvilluan në sallën historike Nr. 600 të Gjykatës së Nurembergut, ku gjatë viteve 1945 dhe 1946 u gjykuan përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore. /AlbanianEducation.net/.