Në mbledhjen e fundit Senati i Universitetit të Prishtinës ua tërhoqi gradat katër profesorëve me arsyetimin se, si anëtar këshilli, ata kishin votuar për veten.
Por dokumente të siguruara nga KOHA tregojnë se në rrethanë të njëjtë është ngritur në gradën e profesorit të rregullt edhe rektori Arben Hajrullahu. Duke marrë pjesë në mbledhje dhe duke votuar, ai dyshohet se ka shkelur Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit e edhe Rregulloren e Punës së Këshillit të Fakultetit
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka votuar për vete, kur dy vjet më parë është avancuar në gradën akademike profesor i rregullt, tregon një dokument zyrtar i Këshillit të Fakultetit Filozofik, të cilin e ka siguruar KOHA.
Vendimmarrja është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Përkufizimi në nenin 3 kërkon evitimin e vendimmarrjes në çfarëdo faze që lidhet me kontratën.
“Çasti i fundit i procesit vendimmarrës gjatë të cilit vendoset përmbajtja përfundimtare e aktit apo kontratës, si dhe ato çaste paraprake të vendimmarrjes të cilat janë thelbësore dhe përcaktuese në të cilat pjesëmarrja, ndikimi dhe qëndrimi i zyrtarit përcaktojnë përmbajtjen përfundimtare të aktit apo kontratës, si dhe çdo veprim i zyrtarit në ushtrimin e funksionit publik”, shkruan në paragrafin 1.12.
Ky ligj, po ashtu, parasheh që zyrtari të vetëpërjashtohet nga procesi vendimmarrës.
“Merr masa për vetëpërjashtimin ose përjashtimin paraprak nga procesi i vendimmarrjes, diskutimit dhe votimit të çështjes në konflikt me përjashtim të rasteve të përcaktuara shprehimisht me ligj”, shkruan në nenin 19.
E, Rregullorja e Punës e Këshillit të Fakultetit kërkon që “anëtari në konflikt interesi ta lëshojë mbledhjen gjatë kohës kur çështja në të cilën ai ka konflikt interesi diskutohet”.
Por ekstrakti i procesverbalit të mbledhjes së Këshillit, ku Hajrullahu ishte anëtar, konfirmon të dhënën se rektori mori pjesë në mbledhjen gjatë së cilës është diskutuar dhe është miratuar raporti për avancimin e tij. Në dokument thuhet se njëzëri anëtarët e Këshillit kanë votuar raportet e komisioneve vlerësuese që ndërlidhen me avancimet.
Sipas procesverbaleve që i ka siguruar KOHA, Hajrullahu ka votuar në mbledhjen e mbajtur më 19 maj të vitit 2022 për formimin e komisioneve vlerësuese dhe atij të ankesave, pastaj në mbledhjen e 26 maj mori pjesë dhe votoi për raportet e komisioneve vlerësuese për publikim në buletin, si dhe më 21 qershor kur u shqyrtuan dhe u miratuan propozimet e Këshillit të Fakultetit Filozofik për Senatin.
Pikërisht për shkelje të kësaj natyre Senati, në mbledhjen e fundit, ka dërguar në rishqyrtim procesin e avancimeve dhe riemërimeve të katër kolegëve të Hajrullahut në Filozofik.
Kjo pasi Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) konstatoi se procesi i marrjes së gradës për Dorajet Imerin, Mentor Hasanin, Avdyl Gashin dhe Natyra Aganin përbën konflikt interesi.
“Pavarësisht se të njëjtët kanë deklaruar se nuk kanë marrë pjesë në votim, si dhe deklarimi i procesmbajtëses se në votim në pikën 4 të rendit të ditës nuk kanë votuar, bazuar në procesverbal të datës 27.7.2023, dëshmohet se të pranishëm në mbledhje kanë qenë Dorajet Imeri, Mentor Hasani, Avdyl Gashi, Natyra Agani, ndërsa kjo pikë e rendit të ditës është miratuar njëzëri nga Këshilli i Fakultetit”, shkruan në opinionin e dhënë nga APK-ja në gusht të këtij viti. “Bazuar në procesverbalin e datës 27.7.2023, nuk ka anëtarë të Këshillit të Fakultetit Filozofik, të cilët kanë deklaruar konflikt interesi apo që nuk kanë marrë pjesë në votim. Agjencia nuk ka pranuar dëshmi tjetër nga ajo që është konstatuar në procesverbal”, thuhet në opinionin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Hajrullahu në mbledhjen e Senatit ka thënë se konstatimi i Agjencisë duhet të zbatohet në mënyrë që të kthehet ligjshmëria në UP.
“Agjencia Kundër Korrupsionit po lëshojke opinione, por opinionet e agjencisë janë obligative e nuk janë opsionale siç ka pasur interpretime në fillim”, ka thënë Hajrullahu në mbledhjen e fundit të Senatit.
I pyetur nga KOHA, rektori nuk e mohoi se edhe vetë ka marrë pjesë në vendimmarrje kur është avancuar.
Por nuk dha sinjal që rasti do të vihet në rend dite në Senat, pa u trajtuar paraprakisht në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
“Çdo rast që do të paraqitet do të trajtohet me kujdes dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ky standard zbatohet pa përjashtim, pavarësisht emrave të përveçëm apo funksioneve që individët mund të ushtrojnë. Për shembull, në momentin kur të pranojmë një opinion të plotfuqishëm dhe obligues nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ai do të trajtohet njësoj siç kemi vepruar në rastin, për të cilin ju referoheni”, ka thënë Hajrullahu.
Në konkursin kur Hajrullahu është avancuar, të njëjtat shkelje, sipas procesverbalit, i kanë bërë edhe gjashtë kolegë të tij, përfshirë edhe dy nga profesorët që për ta së fundi u vendos rishqyrtimi i gradës së tyre. Prodekani Bardhok Bashota dhe profesorët Adem Beha, Durim Avdullahu, Dorajet Imeri, Mentor Hasani dhe lektorja Meliha Brestovci kanë qëndruar në sallë dhe kanë votuar për emërimet, riemërimet dhe avancimet e tyre.
KOHA i ka kontaktuar profesorët, por përgjigje për këtë çështje mori nga menaxhmenti i Fakultetit. Menaxhmenti nuk ofroi të dhëna me arsyetimin se dokumentacioni gjendet te ish-dekani Dashamir Bërxulli.
“Meqenëse bëhet fjalë për një proces (mbledhje të Këshillit të Fakultetit), që është mbajtur në maj të vitit 2022, nuk kemi mundësi të ofrojmë të dhëna me saktësi për mënyrën e procedimit të votimit për 19 pjesëtarët e stafit akademik, recensionet e të cilëve janë shqyrtuar dhe proceduar për votim në po atë mbledhje”, është thënë në përgjigjen e Fakultetit. “Meqenëse si menaxhment i ri i fakultetit nuk kemi trashëguar asnjë lloj të dokumentacionit nga dekani paraprak lidhur me çështjen në fjalë dhe që kjo afekton punën e këshillit në fakultetin tonë, e kemi të pamundur t’ju ofrojmë dokumente konkrete. Ju inkurajojmë që materialet e tilla t’i kërkoni nga dekani paraprak, z. Dashamir Bërxulli, i cili ka pasur përgjegjësi për mbarëvajtjen e punës së Këshillit dhe ruajtjen e dokumentacionit si procesverbalet apo edhe audio/video incizimet e mbledhjeve”.
E, ish-dekani Bërxulli, i cili sipas Rregullores së Punës së Këshillit të Fakultetit është përgjegjës për mbarëvajtjen e mbledhjeve, nuk ka kthyer përgjigje për shkeljet ligjore që janë bërë nën menaxhimin e tij.
Kjo rrethanë e konfliktit të interesit nuk është përmendur në mbledhjen e fundit të Senatit të UP-së. Në këtë mbledhje u vendos të formohet një komision ad-hoc që trajton avancimet e ish-rektorëve dhe rektorit aktual, pasi paraprakisht senatorët refuzuan të votojnë pro propozimit të Hajrullahut për t’ia marrë gradën e fundit ish-rektorit Enver Hasani. / Marrë nga KOHA.net