Refki Demaj: Diplomat dhe titujt akademikë po humbin vlerën

- Advertisement5 -

Kur politika kap arsimin…

- paragrafi 1 -

Arsimi përbën themelin mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, e përgjegjshme dhe e zhvilluar. Përmes tij formohen qytetarë të aftë për të menduar në mënyrë kritike, për të kontribuar në jetën publike dhe për të ndërtuar të ardhmen e vendit.

- Advertisement - M1

Mirëpo, në momentin kur politika ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në sistemin arsimor, arsimi humbet misionin e tij themelor. Të rrezikuara nuk janë vetëm institucionet, por mbi të gjitha gjeneratat që rriten me njohuri të cunguar dhe me horizonte të kufizuara, duke e çuar shoqërinë drejt një forme të analfabetizmit modern.

Tituj të fituar pa dije

Në shumë raste, diplomat dhe titujt akademikë po humbin vlerën reale dhe po shndërrohen më shumë në instrumente ndikimi politik sesa në dëshmi të dijes dhe kompetencës profesionale. Personat e emëruar në pozita kyçe shpeshherë vijnë pa përgatitje adekuate profesionale, pa përvojë në fushën e arsimit dhe pa vizion reformues. Emërimet bëhen mbi baza partiake dhe jo mbi meritokraci.

- Advertisement - m2

Këta drejtues, të cilët duhet të jenë bartës të zhvillimit dhe ngritjes së cilësisë në procesin mësimor, në shumë raste kanë mungesë të thellë të kuptimit për përgjegjësinë që mbajnë. Si pasojë, sistemi arsimor po mbingarkohet me trajnime formale dhe aktivitete burokratike, ku përfituesit kryesorë shpesh janë organizatorët dhe trajnerët, ndërsa mësimdhënësit dhe nxënësit mbeten pa përfitime reale.

Seminaret dhe trajnimet realizohen shpesh vetëm për të plotësuar statistika dhe lista pjesëmarrjeje, e jo për të ndërtuar kompetenca të qëndrueshme profesionale. Ndërkohë, rezultatet konkrete në praktikë mbeten të pandryshuara. Mësimdhënësit ngarkohen me dokumente administrative, raporte dhe evidenca të shumta, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga misioni i tyre kryesor: edukimi cilësor i nxënësve.

Arsimi i zhytur në burokraci

Sot, arsimi rrezikon të shndërrohet në një sistem administrimi formal, ku rëndësi më e madhe i kushtohet dokumentacionit sesa cilësisë së mësimdhënies. Shkollat shpesh vlerësohen nga numri i raporteve dhe formularëve të plotësuar, e jo nga arritjet reale të nxënësve apo nga zhvillimi i tyre intelektual dhe moral.

Në këtë kaos burokratik, suksesi i vërtetë mbetet i pazhvilluar dhe i pavlerësuar. Kualiteti humbet pas statistikave të zbukuruara dhe raporteve formale. Nxënësit kalojnë nga një klasë në tjetrën pa i fituar njohuritë dhe shkathtësitë e domosdoshme për jetën dhe për tregun modern të punës.

Drejt një analfabetizmi të heshtur

Të gjitha këto dukuri së bashku po prodhojnë një fenomen të rrezikshëm: analfabetizmin funksional. Fëmijët mësojnë të lexojnë fjalët, por jo të kuptojnë idetë; dinë të shkruajnë, por jo të argumentojnë; dëgjojnë, por nuk arrijnë të analizojnë dhe të mendojnë në mënyrë kritike.

Kur politika kap arsimin, humbet e ardhmja e një kombi. Sepse rënia e arsimit nuk është vetëm rënie e dijes, por edhe rënie e shpresës për zhvillim, demokraci dhe përparim shoqëror. Një shtet që dështon të mbrojë arsimin nga ndikimet politike, rrezikon të prodhojë gjenerata të dobëta intelektualisht dhe qytetarë të paaftë për t’u përballur me sfidat e kohës.

Shqip | English