Shkolla “Abdullah Shabani”, në Mitrovicë, ka demantuar rastin e nënës vetushqyese, e cila deklaroi se djali i saj 11-vjeçar po dhunohet e bullizohet nga bashkëmoshatarët e tij të kësaj shkolle.
Shkolla përmes një reagimi tha se 11-vjeçari është fëmijë i cili është larguar nga dy shkolla tjera të Mitrovicës, pasi që ka pasur sjellje delikuente.
Reagimi i plotë i shkollës:
REAGIM
Sot, pranuam me dhjetra mesazhe dhe lexuam edhe postime në lidhje me rastin që sipas një prindi djali i saj është duke u keqtrajtuar nga nxënësit e tjerë të shkollës, duke e rrahur, duke e kërcënuar me armë të ftohta etj etj.
Në shkollën ShFMU “Abdullah Shabani” çdo nxënës trajtohet me kujdes dhe brenda shkollës është e ndërtuar një klimë e jashtëzakonshme miqësie ku nxënësit në mes vete kanë raporte tejet të shkëlqyera dhe raste të këtilla jo që nuk i lejojmë por as që tentojnë nxënësit tanë t’i bëjnë.
Rasti për të cilin po flasim është një nxënës që fatkeqësisht ka sjellje delikuente dhe në vazhdimësi ka qenë nxënës që ka penguar procesin mësimor.
Duhet më patjetër të themi se nxënësi në vazhdimësi ka posedu cigare elektrike dhe kujdestarja e klasës ka informu prindin dhe ka këshillu nxënësin.
Nuk është aspak e vërtetë që nxënësi është keqtrajtuar, rrahur e kërcënuar nga nxënës të tjerë por kjo është tendencë që t’i mbulohet sjellja e tij jo e mirë në shkollë.
Drejtoria e shkollës së bashku me kujdestarën e klasës i ka qëndruar gjithmonë afër nxënësit duke e këshilluar, ndihmuar e duke u munduar që ta nxit interesimin tek ai.
Nxënësi për të cilin po flasim fatkeqësisht në gjysmëvjetorin e parë u nda me sukses negativ dhe numëron një numër të madh të mungesave të paarsyeshme.
Për sjellje jo të mirë dhe probleme të shkaktuara nxënësi ka ndërruar deri më tash 3 shkolla, pra ne jemi shkolla e tretë në të cilën nxënësi mban mësim.
E themi me përgjegjësinë më të plotë që çdo rast i tillë nuk lejohet në shkollën tonë por këto akuza janë të pa baza dhe janë tendencë që të njolloset shkolla.