Mësimdhënësi Abaz Kadriu dhe Halil Brahaj, drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë vazhdojnë të jenë të pezulluar përkohësisht, por përveç kësaj ata kanë ndalim prej 20% të pagës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Komisioni Disiplinor i Komunës së Prishtinës.
Komisioni Disiplinor ka evidentuar se drejtori Brahaj më 09.02.2026 ka pasur një incident me nxënësin e klasës së nëntë.
Të njëjtën nuk e ka evidentuar për mësimdhënësin Kadriu, në bazë të vendimit të tyre të datës 20.02.2026 që e ka siguruar KALLXO.com.
Në pamjet që i publikoi KALLXO.com muajin e kaluar, të dy punonjësit e arsimit u panë në situata të ndryshme me nxënësin. Kjo ka bërë që Prokuroria e Prishtinës të zgjeronte hetimet në lidhje me këtë rast.
Brahaj, i pyetur nga KALLXO.com më 05.03.2026, lidhur me vendimin e Komisionit Disiplinor, nuk ka treguar nëse është ankuar. Por, për këtë ka dhënë përgjigje Kadriu:
“Po, ndaj këtij vendimi përmes avokatit tim do të ushtroj ankesë brenda afatit!” – ka thënë mësimdhënësi i pezulluar Abaz Kadriu, më 05.03.2026.