Në fund të gjysmëvjetorit të parë të këtij viti ka rrezik që të krijohet sërish ‘ngërç’ në arsim. ‘Fajtori’ është vlera e koeficientit të pagave në sektorin publik, shkruan AlbanianEducation.net.
Qeveria e Kosovës dhe SBASHK janë shumë larg njëra-tjetrës sa i përket vlerës së koeficientit. Qeveria ka thënë se vlera e koeficientit nga 105 euro sa është do të rritet në 110 euro nga janari i vitit 2024, por SBASHK me Rrahman Jasharajn kërkojnë që të jetë 130 euro, shkruan AlbanianEducation.net.
Kjo mospërputhje e tyre rreth vlerës së koeficientit nuk përjashton mundësinë që në janar sërish të ketë grevë në arsim.
“Vlera e koeficientit do të jetë 110 euro”
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Kurti ka theksuar se me këtë Projektligj parashihet që koeficienti i pagave në sektorin publik do të jetë 110 euro.
“Për sektorin publik, kemi thënë qysh në fillim të këtij vitit se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë, pra po i rrisim pagat në sektorin publik, ashtu siç kemi thënë”, është shprehur Kurti.
Por kjo vlerë është e papranueshme për SBASHK-un dhe opozitën, konkretisht AAK-në. E para ka kërkuar që vlera e koeficientit të jetë 130 euro, kurse partia e Ramush Haradinajt 129 euro.
SBASHK do t’i drejtohet deputetëve: Duam vlerë të koeficientit 130 euro
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se do t’i drejtohen deputetëve në mënyrë që t’i plotësohet kërkesa e tyre që vlera e koeficientit të bëhet 130 euro.
“Ne tani jemi duke bashkëbiseduar me sindikatat tjera do ta kemi një takim të kryesisë ekzekutive dhe bashkërisht do ta punojmë një shkresë me të cilën do t’i drejtohemi deputetëve edhe të pozitës edhe të opozitës që ata ta ngrisin çështjen dhe meqënëse po afrohemi fundit të vitit dhe do të bëhet planifikimi i ligjit të buxhetit për vitin e ardhshëm do të kërkojmë që deputetët të angazhohen që vlera e koeficientit të ngritët. Do të bëjmë angazhime që të ketë lëvizje të koeficientit së paku të jetë 130 euro vlera”, deklaroi ai.
Jasharaj ka kërkuar që të takohet edhe me zyrtarët e Qeverisë, mirëpo ai thotë që nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ai thotë që qasja e pushtetit, krijon tensione.
“As kryeministri, as ministri Murati e as zonja Nagavci nuk i janë përgjigjur kërkesave tona të arsyeshme që të takohemi, dhe të bisedojmë dhe ata po harrojnë që në këtë mënyrë dhe kjo qasje e gabuar ndaj sindikatave krijon tensione, krijon dhe pakënaqësi, të cilat edhe nëse nuk ka grevë ato pakënaqësi ekzistojnë”, deklaroi ai.
Edhe pse kanë shkuar disa javë nga kjo deklaratë e Jasharajt për iniciativën e paralajmëruar nga ai se do t’iu bëjë kërkesë deputetëve që vlera e koeficientit të rritet në 130 euro, ende asnjë reagim nuk ka ardhur nga ministri e Arsimit, Arbërie Nagavci, shkruan AlbanianEducation.net.
AAK: Vlera e koeficientit të pagave të jetë 129 euro
Vlerë shumë më të madhe se qe po ofron Qeveria po kërkon partia opozitare AAK-ja e Ramush Haradinajt.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri më 26 tetor ka prezantuar rezolutën në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro.
Ai ka thënë se debati parlamentar bazohet në gjendjen e përgjithshme sociale në vend e cila sipas tij është duke u përkeqësuar.
“Qeveria nuk ka arritur që as përmes politika sociale, as financiare ta adresoj rritjen e inflacionit. Duke ditur që jemi në një situatë ekonomike në vend, duke vlerësuar edhe raportet e fundit të Bankës Botërore që të shmangët një kolaps ekonomik, është tepër me rëndësi që ky kuvend të votoj rezolutë, të ngrit koeficientin. Grupi ynë parlamentar ka bërë vlerësim dhe ka kërkuar të rritet koeficienti nga 105 ne 129”- ka thënë ai.
/AlbanianEducation.net/.
Me VLERËN E KOEFICIENTIT 110 euro: Kaq do të rritet paga e mësimdhënësve