Kryeministri Kurti thotë se është e palogjikshme të merren pagat, prandaj s’do të paguhen ata që hyjnë në grevë. Lumir Abdixhiku i LDK-së ngrit shqetësim për penalizmin që po u bëhet mësimdhënësve, duke u ndalur pagat e muajit gusht, kur as nuk kishte mësim në shkolla, as s’kishte grevë.
Greva e përgjithshme, e organizuar nga Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka nisur me 25 gusht. Por, Ministria e Financave, nuk i ka ekzekutuar pagat për krejt muajin.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për penalizimin e mësimdhënësve gjatë muajit gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor.
Ai ka thënë se mësimdhënësve po u bëhet “dënim kolektiv”
Qeveria nuk ka ekzekutuar pagat e gushtit në disa sektore, pasi ka kërkuar listat e punonjësve publikë që po mbajnë grevë, por ato nuk i janë dhënë.
Stafi shëndetësor kanë protestuar sot para qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Prishtinë, pasi nuk i kanë marrë pagat e muajit që shkoi.
Derisa Qeveria është kritikuar se po shkel të drejtat e punëtorëve duke i kërcënuar grevistet me ndjale të rrogës, Kryeministri Albin Kurti ka thënë dje nga Gjakova se nuk mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë,
“Nuk ka kurrfarë urrejtje apo hakmarrje ndaj askujt. Por, një gjë duhet ta kuptoni – s’mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë. Ata duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës. Kjo nuk është jo vetëm çështje e ligjit, por edhe e arsyes së shëndoshë mendore”, ka thënë Kurti.