Udhëheqësit e disa drejtorive të Qendrës së Studentëve, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të saj, erdhën në Rektorat për të njoftuar menaxhmentin e UP-së rreth përgatitjeve të pranimit të studentëve në konvikte dhe mensë, në prag të fillimit të vitit akademik 2025/’26.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, bashkë me prorektoren për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja, pritën drejtorin e përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudarin, drejtorin e strehimit, kulturës dhe sportit, Isak Behën, dhe drejtorin e kuzhinës dhe restaurantit, Fahri Osmanin.
Rektori Hajrullahu u dëshiroi mysafirëve të tij një vit të mbarë, të suksesshëm e pa probleme gjatë strehimit dhe përgatitjes së ushqimit për studentët, ndërsa zyrtarët e lartë të Qendrës së Studentëve treguan se gjithçka është gati për t’i pritur sa më mirë ata e ato që studiojnë në UP, ushqehen në mensë, strehohen në konvikte e përgatiten për provime në hapësirat e kësaj qendre.
Në takim u fol edhe për koordinim mes Qendrës së Studentëve dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për të mundësuar që edhe studentët e pranuar në konkursin plotësues në shtator të kenë mundësinë e shfrytëzimit të mensës dhe konvikteve.