Qehaja për subvencionimin e librave: Të evitohen mangësitë e viteve të kaluara

- Advertisement -

Ministria e Arsimit bëri të ditur se edhe këtë vit do të mbulojë një pjesë të kostos për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Aplikimi për këtë subvencion pritet të nisë në fillim të gushtit

- paragrafi 1 -

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, tha se subvencionimi i teksteve shkollore përmes blerjes nga prindërit është një metodë që po përdoret për të tretin vit me radhë dhe ndonëse është ndryshe nga mënyra tradicionale e shpërndarjes së librave në shkolla, qëllimi që nxënësit të pajisen me libra në kohë mbetet i njëjtë. Ai thekson se kjo mënyrë nuk paraqet problem në vetvete, por që Ministria e Arsimit duhet të komunikojë më qartë arsyet pse ka zgjedhur këtë formë ndryshe nga mënyra e shpërndarjes tradicionale, e cila ka qenë në zbatim deri para tri vjetësh.

- Advertisement -

“Subvencionimi i teksteve shkollore si blerje e drejtpërdrejtë nga prindërit në vend të shpërndarjes së teksteve nga shtëpitë botuese në shkolla është një metodë e prezantuar tashmë për vitin e tretë radhazi nga ana e qeverisë. Është më ndryshe nga ajo që jemi mësuar për dekada, ku tekstet shkollore ju kanë shkuar në shkollë nxënësve, mirëpo në thelb qëllimin e arrijnë të njëjtë, përderisa tekstet shkollore ju shpërndahen nxënësve dhe nxënësit janë të pajisur me kohë për fillimin e vitit shkollor”.

“Në gjykimin tonë ky nuk paraqet ndonjë problem ose risi. Ajo çka vlerësoj se komuniteti i prindërve ose i mësimdhënësve e meriton si një komunikim më i hapur është arsyeshmëria e këtij vendimi karshi shpërndarjes së drejtpërdrejtë në shkolla. Pra, nëse e ka një kosto më efiçiente sesa shpërndarja e drejtpërdrejtë, ose cili është ai benefiti tjetër që po e nxitë ministrinë të prezantojë subvencionimin dhe përfshirjen e prindërve në blerjen e teksteve shkollore në libraritë lokale”, u shpreh Qehaja.

I pyetur mbi parregullsitë që janë evidentuar dy vitet paraprake nga kjo mënyrë e pajisjes me tekste shkollore, Qehaja tha se vitet e kaluara të subvencionimit duhet të kishin shërbyer si mësim për qeverinë që të kuptojë mangësitë e këtij procesi dhe t’i përmirësojë ato, sidomos për shpërndarjen me kohë të librave.

- Advertisement -

Ai shton se ka të meta në përdorimin e platformës E-Kosova, siç është mungesa e vetëdijes dhe përgjegjësisë së prindërve për të përdorur subvencionin në mënyrë korrekte.

Sipas tij, kjo është një çështje që kërkon debat më të gjerë, por në parim nuk e sheh këtë mënyrë si ndonjë problem të madh për sistemin arsimor, pasi edhe mënyra e vjetër me shpërndarje nga shkollat ka pasur vonesa, për shkak të papërgjegjshmërisë së disa komunave dhe shtëpive botuese në shpërndarjen e teksteve shkollore.

“Në secilin rast unë vlerësoj që dy vitet e mëparshme të subvencionimit do të duhej të kenë shërbyer edhe si mësime të mira edhe për vetë qeverinë për ta kuptuar se cilat janë këto të meta në këtë proces në mënyrë që t’i korrigjojnë dhe të shërbejnë drejt përmirësimit të shpërndarjes në kohë të duhur. A ka subvencionimi përmes platformës E-Kosova të meta? Po, padyshim që ka. Njëra prej tyre pastaj është edhe vetëdijesimi dhe përgjegjësia që të gjithë prindërit në kohë të duhur të përdorin mjetet në destinimin e tyre për tekstet shkollore. Ky pastaj është një debat në vete, që e përfshin një komunitet të tërë të prindërve, mirëpo në thelb si proces nuk gjykojmë që do të duhej të paraqiste një problem të jashtëzakonshëm për sistemin arsimor, pasi që rikujtoj që edhe në versionin tjetër vonesat kanë qenë të pashmangshme”.

“Pra, pasi që përgjegjësia është bartur te shtëpitë botuese, përgjegjësia është bartur tek komunat, të cilat jo çdo herë në përgjegjësi të plotë kanë shkaktuar vonesa në shpërndarjen e teksteve shkollore në shkolla”, tha Qehaja për Ekonomia Online.