E premte, 20 Shtator, 2024

Që 30 vjet në UP mësohet gjermanisht

- Advertisement1-

Më 3 tetor janë bërë 30 vjet që kur në Universitetin e Prishtinës filloi të mësohej gjermanisht – u themelua departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.

Profesoresha, Vjosa Sadriu Hamiti përmes një postimi në Facebook, të dielën, ka treguar në mënyrë kronologjike rrjedhën prej themelimit të këtij departamenti e deri më sot.

- Advertisement -

Ka përkujtuar edhe kohën e luftës dhe thotë se fllimi më i mirë i vitit akademik ka qenë ai i vitit 1999 – pas çlirimit.
Në postimi ka treguar edhe për bashkëpunimet që ky departament i kishte para dhe pas luftës.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

30 vjet të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Prishtinë

Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Gjermane u hap para tridhjetë vjetësh – në vitin akademik 1992/1993 – në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (UP), atëherë kur UP-ja qe detyruar të funksiononte jashtë hapësirave universitare, prej të cilave ishte përzënë nga regjimi pushtues serb. Këshilli i atëhershëm i Fakultetit të Filologjisë, por sidomos dekani Prof. Dr. Zejnullah Rrahmanin dhe rektori i UP-së, Prof. Dr. Ejup Statovci, kanë merita të mëdha për hapjen e një Departamenti të ri në ato rrethana të vështira për arsimin e lartë shqip. Jemi mirënjohës për guximin, por edhe për vizionin e tyre evropian. Përkrahja e tyre e pakursyer mundësoi zhvillim e këtij Departamenti që, për nga madhësia, aty ku është sot, është i dyti, pas Departamentit të Anglistikës, që ishte hapur tridhjetë vjet më herët.

Në këto tri dekada, çdo një tetor më zgjon kujtime emocion të veçanta, sidomos ato të viteve 1992, 1995 dhe 1999.

Me 1 tetor të vitit 1992, unë si studente e vitit të parë (‘brucoshe’), entuziaste për fillimin e arsimimit tim universitar, shkova në ligjëratën e parë, e cila u mbajt në shkollën fillore „1 Maji“ në Prishtinë. Aty ishte profesoresha (tani e ndjerë!) Nexhibe Palloshi. Ligjëratat dhe ushtrimet e tjera i mbajtëm në muajin e parë në disa lokacione të ndryshme. Si gjeneratë e parë e Gjermanistikës u njoftuam me mësimdhënësit/profesorët e tjerë të Departamentit të sapokrijuar: Teuta Abrashi, Afërdita Surroi, dhe më vonë Ilhami Kryeziu . Profesorët na njoftuan me lëndët që ata do t’i mbanin dhe cilën literaturë do të duhej ta kishim për mësime. Literaturën në shqip e siguruam më shpejt kurse në gjermanisht pak më vonë. Mua këto libra më erdhën pas disa muajsh nga Zvicra, nga mësuesja ime e gjermanishtes zonja Schubiger, e cila me ka përkrahur gjatë arsimimit tim dhe rrugëtimit akademik të viteve të 90-ta.

- Advertisement -rrrrrrr

Një kontribut të madh në punën e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, sidomos në fillimet e tij, kanë dhënë profesorët e Fakultetit të Filologjisë si Abdullah Kajragdiu, Osman Gashi, Xhavit Rexhaj, Sala Ahmetaj, Flutura Çitaku, Rexhep Shala, Anton Berishaj, etj.

Pas një muaji Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane mbajti vitin e parë të mësimit në Kishën Protestante Ungjillore (afër godinës së Sllovenia Sportit) në Prishtinë. Vitet e tjera mësimet u mbajtën në lokacione të ndryshme të Prishtinës, që përbënin “sallat” e Fakulteti të Filologjisë, që ishin shtëpi private, hapësira biznesesh të vogla, siç njihen sot me termin kolektiv objekte shtëpi-shkolla.

Edhe pse gjatë viteve të 90-ta Universiteti i Prishtinës nuk njihej ndërkombëtarisht, studimet por edhe diplomat e studentëve kosovarë njiheshin, sidomos nga universitetet në vende gjermanofolëse. Disa kolegë të mi vazhduan studimet e tyre të gjermanistikës në po këto vende. Universiteti i Prishtinës, para vitit 1990, kishte bashkëpunime më disa universitete evropiane, ndër to edhe me Universitetin e Jenës në Gjermani. Mirëpo, për shkak të dëbimit të shqiptarëve nga objektet universitare, për disa vite ky bashkëpunim ishte ndërprerë. Në verë të vitit 1994 profesoresha Teuta Abrashi më thirri dhe me tha se isha përzgjedhur për vijimin e vitit akademik 1994/95 si bursiste e Universitet të Jenës. Përfitues për një semestër në Jena ishte edhe urologu Dr. Tunë Pervorfi. E kujtoj se, pas përzgjedhjes sime si bursiste, rektori Ejup Statovci kishte kërkuar takim më mua dhe shefen e Departamentit, Teuta Abrashi. Në këtë takim rektori më tha se duhej të jepja maksimumin në Jenë, që të vazhdohet edhe me tutje kjo mundësi e mobilitetit të studentëve dhe të profesorëve. Gjithashtu unë nënshkrova një zotim me rektorin dhe profesoreshën se mbas qëndrimit në Gjermani do të kthehesha në Kosovë. Ashtu bëra. Ia dola të merrja notat maksimale në të gjitha lëndët që i ndoqa atje dhe pas kthimit tim përfitues të po kësaj burse ishin edhe disa studentë të tjerë të Departamentit.

Në vitin e katërt të studimeve, pasi u shpalla studente e dalluar nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegun tim Gëzim Xhaferi u angazhuam nga Fakulteti i Filologjisë nga 1 tetori i vitit 1995 si demonstratorë (ashtu quheshin atëherë bashkëpunëtorët e rinj, studentë-mësues efektivisht) dhe filluam të mbajmë ushtrimet gjuhësore në lëndët e gjuhësisë, me vitin e parë dhe të dytë. Pas diplomimit (1996), unë u angazhova si asistente e re. Sot mbaj titullin akademik Profesore e Asocuar.

Nga gjenerata e parë jemi pesë vetë që sot punojmë si profesorë në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane: Albulena Blakaj, Milote Sadiku, Naser Mrasori dhe Sadije Rexhepi. Departamenti tonë i’u bashkëngjiten me vonë edhe Blertë Ismajli dhe Naim Kryeziu. Si asistente të angazhuar sot kemi MA Arbnore Bajraktarin, për gjuhësi dhe MA Agnesë Hakaj për letërsi.

Në kujtimet e mia 1 tetori i vitit 1999 është ndoshta fillimviti akademik më i dashur i imi. Ne si gjeneratë e parë e gjermanistëve në Prishtinë filluam studimet tona por edhe punën në këtë Departament, jashtë objektit të Fakultetit të Filologjisë. Ishte një ndër përjetimet më të bukura dhe i papërshkrueshëm. Sot këto janë normale dhe të vetëkuptueshme, sepse janë esenciale për mbarëvajtje të punëve. Po për ne ishin diçka shumë më e madhe se sa vetëm hapësira pune e mësimi – ishte objekt universitar që deri në atë vit nuk e dinim si dukej në Kosovë.

Po në atë vit, në vitin 1999, u hap zyra e lektoratit të DAAD-së; lektore e parë ishte Suzane Finger. Sot, në fillim të vitit akademik 2022/23, Departamenti mirëpret lektorin e ri të DAAD-së, MA Adrian Ramabaja. Lektorati i DAAD-së, përpos që përkrah Departamentin tonë me lektor, kontribuon edhe për gjithë Universitetin e Prishtinës dhe universitet e tjera në vend. Për çdo vit akademik shumë studentë por edhe profesorë përfitojnë bursa nga DAAD-ja për studime në nivelet MA, PhD dhe PostDoc.

Nga viti 2019 në Departamentin tonë është hapur edhe lektorati i OeAD-së, ku lektore kemi MA Verena Ëalzl e cila përpos angazhimit të saj në mësimdhënie bën edhe shumë aktivitete ekstrakurikulare me studentët tanë. Gjithashtu edhe OeAD-ja çdo vit jep bursa për studime në nivelet MA, PhD dhe PostDoc. Në kuadër të Fakulteti të Filologjisë funksionon edhe Biblioteka Austriake, e cila për çdo vit pasurohet me literature të përditësuar.

Departamenti ynë sot ka shumë bashkëpunime me universitete në vendet gjermanofolëse. Çdo semestër janë mbi 20 studentë që ndjekin mësimet në ato universitete. Bashkëpunimi i Departamentit me organizatat të shumta gjermanofolëse ka sjellë edhe ndihma të tjera. Për shembull, pothuajse çdo vit akademik mundësohet sigurimi i literaturës së përditësuar në gjuhën gjermane, që vihet në dispozicion të Bibliotekës së Fakultetit. Nga një bashkëpunim me Goethe Institutin në hapësirat e Departamentit, e kemi dhuratë një “Deutschraum” (sallë gjermane), e cila është e pajisur me teknologjinë më të re.

Sot Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Gjermane ofron programe studimi në nivelet BA dhe MA; BA Gjuhë dhe letërsi gjermane (240 ECTS), dhe dy drejtime MA : Gjuhë dhe letërsi gjermane, (60 ECTS) dhe Gjermanishtja si gjuhë e huaj (60 ECTS).

Studentët e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane gjatë studimeve të tyre fitojnë dijet dhe shkathtësitë e nevojshme për punë si mësimdhënës, përkthyes, hulumtues shkencorë, zyrtarë në konsulatat, zyrat ndërlidhëse, ambasadat dhe organizatat e shteteve gjermanishtfolëse, etj.

Ditën e hënë, më 3 tetor, Departamenti i Gjermanistikës në Prishtinë nis dekadën e katërt. Është arritje e madhe.

Unë, që kam nisur studimet dhe punën si asistente në kohën kur UP-ja funksiononte në rrethana okupimi deri më 1999, ndërsa pas çlirimit kreva studimet për Master në Prishtinë, ndërsa për doktoratë në Universitetin e Vjenës, ndiej, shpresoj me të drejtë, se jam pjesë e kësaj historie me domethënie për Universitetin tonë, por edhe për shtetin tonë, Republikën e Kosovës.

Fotografitë janë nga koha e studimeve dhe mësimeve ndër vite!

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Agim Baçi: Mësojuni fëmijëve se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një histori dhe përvojë më vete, që ja vlen ta...

A e dini se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një...

Ben Gavazaj, nxënësi nga Prizreni që la Amerikën dhe u kthye në Kosovë

Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën "min Duraku në Prizren....

Ekspertët: Çfarë masash duhet të marrin shkollat që nxënësit të ushqehen patjetër me një vakt të marrë nga shtëpia?

Ekspertët e huaj ngrenë alarmin: Është shumë e rëndësishme që fëmijët të marrin vakt...

Armend Perolli, nxënësi shembull nga Prizreni: Punoi gjatë verës dhe nuk shkoi në pushime – me paratë që dhuroi u blen materiale shkollore për 12...

Një shembull i jashtëzakonshëm vije nga një nxënës i klasës së pestë të shkollës...