Një nismë e ndërmarrë nga Komuna e Deçanit për të parandaluar ngacmimet seksuale në shkolla po kundërshtohet nga mësimdhënësit.
Ata janë kundër vendosjes së kamerave nëpër klasa. Kundër jetësimit të nismës është deklaruar edhe komisionerja për informim dhe privatësi. Por, në autoritetet komunale theksuan se nuk shohin masë tjetër për parandalim dhe për sigurinë e nxënësve përpos vendosjes së kamerave.
Komuna e Deçanin synon ta bëjë parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në shkolla përmes vendosjes së kamerave vëzhguese brenda klasave.
Por, këtë po e kundërshtojnë disa mësimdhënës.
Edhe në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” thonë se të gjithë mësimdhënësit janë deklaruar kundër.
“Në njëfarë forme ata nuk ndihen rehat në qoftë se kamera është mbi kokën e tyre dhe e kanë kundërshtuar atë, edhe pse kjo me njëfarë forme për menaxhmentin do të ishte më e lehtë në menaxhimin e shkollave, kur edhe inventarin por edhe problemet që mund të vijnë nga nxënësit delikuentë mund t’i evidentosh më lehtë”, ka thënë Qazim Maloku – drejtor në SHFMU “Lidhja e Prizrenit.