Deputetët e pushtetit kanë lëshuar sallën në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, ku po diskutohet për rritjen e vlerës së koeficientit të pagave.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari ka kërkuar që fillimisht të mbyllen punimet e dy seancave të kaluara, që më pas të vazhdohet me seancën e re.
“Edhe ata që e kanë kërku seancën e jashtëzakonshme nuk kanë qenë në kohë për fillimin e saj, prandaj ne jemi në dinamikën e miratimit të ligjeve e prezantimeve. Kërkojmë që të vazhdohet me këto pika dhe pastaj të hapen punimet e seancës së jashtëzakonshme”, tha Kusari Lila.
Mirëpo pasi deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi që të mbyllej seanca plenare dhe të vazhdohet me atë të jashtëzakonshmen për çështjen e koeficientit të pagave, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dolën nga salla e Kuvendit.
Ai tha se janë pajtuar që seanca e jashtëzakonshme të nisë në orën 12:00 dhe jo në orën 10:00 në mënyrë që të kryhen disa votime.
Me këtë Tahiri tha se qëllimi është që të zbehet qëllimi i debatit të thirrur nga ta.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se është e pamundur të bashkëpunohet me këtë qeveri që të mashtrojnë, që thonë se do marrin pjesë në seancë, e në fund ikin.
“Me ikë prej kësaj seancë, është me ikë prej një përgjegjësie të madhe. Nuk mundemi me bashkëpunu me ta. Nuk arrinë me gjetë një gjuhë të përbashkët me ta”, tha Tahiri ndër të tjera.