Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas publikimit të një rasti të ndodhur në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, ku është raportuar për një sjellje të papërshtatshme nga ana e një mësueseje.
Sipas njoftimit zyrtar, mësuesja Mine Hasani është larguar nga detyra. Rasti u bë publik më 24 shkurt nga emisioni investigativ “Stop” në TV Klan.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, ministrja theksoi se çdo veprim që bie ndesh me standardet dhe vlerat e sistemit arsimor është i papranueshëm. Ajo bëri të ditur se është ngritur një grup pune për të shqyrtuar plotësisht situatën dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.
Ministrja nënvizoi se raste të tilla nuk përfaqësojnë punën dhe përkushtimin e mijëra mësuesve në të gjithë vendin, të cilët kontribuojnë çdo ditë në edukimin e brezave të rinj.
Hetimi administrativ do të vijojë, duke përfshirë analizimin e procedurave dhe funksionimin e strukturave drejtuese të institucionit arsimor.