PISA sot ka publikuar rezultatet e testimit për vitin 2022, sipas të cilave Kosova del pothuajse në fund të tabelës.
Sa iu përket rezultateve në matematikë, Kosova renditet në vendin e shtatë prej fundit të listës, në shkencë renditet e katërta prej fundit, ndërsa sa i përket leximit, zë fundin e tabelës, me 342 pikë apo 11 pikë më pak se në vitin 2018.
Këto rezultate, ish zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Express se ishin të pritshme dhe tregon arsyet.
“Rezultati është i pritshëm, pasi kjo gjeneratë e nxënësve është përballur me çrregullime serioze të procesit mësimor prej marsit të vitit 2020 deri në marsin e vitit 2022 kur i janë shtruar testit. Në nivelin global ka rënie të rezultatit në Matematikë në raport me vitin 2018 për 17 pikë të PISA që është pothuaj se e barasvlershme me një gjysmë vjetor, pra këta nxënës kanë humbur një gjysmë vjetor të tërë. Ndërkaq, në Kosovë kjo rënie është 11 pikë të PISA, gjë që nuk është aspak për t’u lavdëruar, pasi edhe ashtu, kemi qenë me rezultat të ulët”, deklaroi Pupovci.
Mirëpo, Pupovcin e brengos rritja e përqindjes së nxënësve që nuk e plotësojnë kriterin minimal të aftësive në fushën e leximit, matematikës dhe shkencës.
“Ajo që brengosë është rritja e përqindjes së nxënësve që nuk e plotësojnë kriterin minimal të aftësive në fushën e leximit, matematikës dhe shkencës. Ndërsa në vitin 2018 i kemi pasur 77% të nxënësve nën kriterin minimal në Matematikë, tani i kemi 85% dhe e ngjashme është situata në dy disiplinat tjera” tha Pupovci.
Ai ka treguar se çfarë hapa duhet të ndërmerren për përmirësimin e gjendjes në arsim.
“PISA na tregon se gjendjen në sistemin e arsimit nuk e kemi aspak të mirë. Prandaj, hapat duhet të jenë në funksion të përmirësimit të gjendjes, e jo të radhitjes në PISA. Si prioritet duhet të jetë ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë të llogaridhënies, duke filluar nga shkolla deri tek nivelet më të larta të vendimmarrjes” thotë Pupovci.
“Kjo mund të arrihet duke përforcuar inspektimin, si dhe duke i eliminuar anomalitë në testet e jashtme, ku besohet se nxënësit mund të kalojnë pa dije falë kopjimit. Pastaj, duhet të ofrohet më shumë mbështetje për mësimdhënie, duke siguruar mjete mësimore dhe mbështetje profesionale. Në përgjithësi, të gjitha veprimet që çojnë drejt përmirësimit të gjendjes në arsim janë përmbledhur në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, e cila duhet të zbatohet me përpikëri dhe me angazhimin e të gjithëve”, shton ai.
Për performancën e dobët, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ia ka lënë fajet pandemisë, duke thënë se një gjë e tillë ka qenë e pritshme, për shkak të mungesës së kushteve.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci.