E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Pupovci: Ka progres te përfshirja në arsimin e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian

- Advertisement1-

Në Kosovë organizatat joqeveritare në vazhdimësi tërheqin vërejtjen për problemet me qasjen në arsim të fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Braktisja e shkollës, mungesa e kushteve dhe diskriminimi janë disa nga problemet me të cilat përballen fëmijët nga këto komunitete.

Urma Menekshe, është pjesëtare e komunitetit rom e cila jeton në qytetin e Prizrenit, rreth 80 kilometra larg Prishtinës.

- Advertisement -

Urma ka mbaruar studimet në Fakultetin e Edukimit në këtë qytet, në gjuhën turke, në mungesë të drejtimeve në gjuhën e saj amtare.

Rruga e shkollimit, duke qenë vajzë nga komuniteti rom, nuk ka qenë e lehtë, thotë Urma.

“Gjithmonë e them që komuniteti rom fillon përpjekjen për të jetuar zero më një, në raport me komunitetet tjera sepse nuk ka shkollim në gjuhën amtare. Për këtë arsye ne gjithmonë kemi qenë pak prapa sepse së pari nuk kemi mundur të kuptojmë mësimet që i kemi ndjekur. Por me kalimin e kohës, unë jam munduar të shmang paragjykimet ose diskriminimet të cilat i kam pasur nga ana tjetër”, thotë Urma.

Sot, ajo ka mbi 100 nxënës në katër shkolla të ndryshme, të cilëve u mëson gjuhën rome, një përpjekje kjo për t’ua lehtësuar sadopak qasjen në arsim fëmijëve të komunitetit të saj.

“Mund të them që ata në shkollën e rregullt qëndrojnë shumë të mbyllur, kështu që gjatë mësimit të gjuhës rome nëse nuk kanë kuptuar ndonjë lëndë ne jemi aty për t’u treguar ose për të krahasuar atë lëndë me gjuhën rome, duke e përkthyer që ata ta kenë më të kapshme dhe të mësojnë më shumë. Vështirësitë e fëmijëve janë jo vetëm në të folur por kanë të bëjnë edhe me diskriminim dhe anashkalim në klasët e tyre në shkolla”, thotë ajo.

- Advertisement -rrrrrrr

Për dy vite mësimdhënie, Urma thotë se është përballur me mungesë të literaturës në gjuhën rome. Kjo e ka shtyrë që nëpërmjet një projekti të mbështetur nga komuna e Prizrenit, të krijojë një bibliotekë me 360 libra nga mbi 20 autorë.

“Kam menduar të bëhet një mini biblotekë për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian por edhe të tjera, që të kenë një vend të posaçëm që është i pasur me libra të gjuhës rome, shkrime në gjuhën rome dhe përralla në gjuhën rome”, thotë ajo.

Petrit Tahiri, nga Qendra e Kosovës për Arsim i tha Zërit të Amerikës se gjuha është vetëm një nga problemet me të cilat përballen fëmijët e komunitetit rom në arsim.

“Në shumë shkolla ende nuk janë funksionale ekipet për parandalim të braktisjes, raportim të braktisjes dhe rrjedhimisht ky problem vazhdon të jetë mjaft i pranishëm dhe fatkeqësisht më së shumti i prek fëmijët nga komunitetet pakicë. Një çështje tjetër që konsiderohet problematike, e cila ndoshta nuk lidhet drejtpërdrejt me fushën e arsimit, është edhe çështja e kushteve të rënda ekonomike sociale të familjeve që vijnë nga këto komunitete, të cilat e pengojnë e në disa raste edhe pamundësojnë vijueshmërinë e rregullt të fëmijëve në sistemin arsimor”, thotë zoti Tahiri.

Zëvendësminiatri i Arsimit, Dukagjin Pupovci. thotë se shkalla e përfshirjes së këtyre fëmijëve në sistemin arsimor ka shënuar përparim.

“Natyrisht rom, ashkali dhe egjiptian do t’i kisha përfshirë si grupe të cilat kanë pjesëmarrje të ngjashme në arsim. Në arsimin e detyrueshëm përfshirja është diku 85 për qind, ndërkaq sa i takon arsimit të mesëm të lartë është ende nën 50 për qind. Kjo paraqet përmirësim në raport me gjendjen e cila ka qenë më herët”, thotë zoti Pupovci.

Sipas tij, ministria bën vazhdimisht përpjekje për të ngritur shkallën e edukimit të fëmijëve rom, ashkali e egjiptian.

“Një mënyrë është nëpërmjet qendrave mësimore duke i ndihmuar fëmijët, posaçërisht të moshës së shkollimit të detyrueshëm, që të jenë të suksesshëm në shkollë sepse kësisoj krijohet vetëbesimi dhe ata pastaj e vazhdojnë shkollimin. Pastaj një përfshirje më e lartë në edukimin në fëmijërinë e hershme në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për shkollë sepse edhe aty ndërtohet vetëbesimi dhe zbutet hendeku ndërmjet komuniteteve të margjinalizuara dhe komuniteteve tjera. Ndërsa në nivelin e shkollimit të lartë japim bursa”, thotë ai.

Zoti Tahiri thotë se arsimimi i pjesëtarëve të këtyre komuniteteve është thelbësor për të përmirësuar mirëqenien e tyre.

“Nëse një status quo e tillë vazhdon ku fëmijët nga këto komunitete nuk shkollohen, nuk përgatiten për tregun e punës, rrjedhimisht nuk aftësohen me shkathtësi së paku bazike, apo minimale për të gjetur një vend të punës, sigurisht që kjo situatë do të na përcjellë edhe në të ardhmen”, thotë ai.

Urma, shpreson të jetë shembull për fëmijët e komunitetit të saj.

“Fëmijët e komunitetit rom e shohin një rol model përpara vetes që e kanë dhe sipas atij edhe ata e drejtojnë jetën e tyre. Ne jemi duke u përpjekur të zhvillojmë një gjeneratë më të sigurt për të ardhmen, të mos ketë braktisje shkollimi, të mos ketë diskriminim nëpër shkolla”, thotë ajo./VOA

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Buxheti për arsim i 2025-tës: 101 milionë euro më i lartë se katër vjet më parë

Buxheti për arsim për vitin 2025, sipas ministres Arbërie Nagavci do të jetë 417...

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...