E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Punuam gjatë luftës pa pagë si akt patriotik, sot na shajnë”: Mësuesit të mllefosur e të prekur nga fyerjet e Qeverisë dhe publikut

- Advertisement1-

U akuzuan se po i dëmtojnë nxënësit për përfitime personale, u akuzuan se po bëjnë grevë vetëm për t’i dalë kundër qeverisë, u akuzuan se po bëjnë grevë në të njëjtën ditë kur në veri gjoja mund të ketë trazira, madje u tha se ka koordinim mes tyre e Listës Serbe. Në fund iu ndalën edhe pagat. Krejt këto, në jo më shumë se një javë. Ditët e fundit për mësimdhënësit e Kosovës, thënë në mënyrën më të butë të mundshme, kanë qenë të vështira.

Greva, e paralajmëruar muaj më parë, filloi në ditët e fundit të gushtit, atëherë kur mësimdhënësit kthehen nga pushimet për t’u lajmëruar në shkollë dhe për t’i filluar përgatitjet për vitin e ri shkollor.

- Advertisement -

Për dallim nga herat e tjera kur mësuesit tanë kanë refuzuar të japin mësim, kjo grevë dhe qasja e qeverisë ndaj saj rezultoi të jetë e një dimensioni krejt tjetër. Nëse greva e janarit të vitit 2019 u përcoll me përpjekje të shumta të SBAShK’ut dhe të qeverisë për t’u arritur një gjuhë e përbashkët, kjo e tashmja është shndërruar në një betejë të paparë ndonjëherë.

Qeveria i kërcënoi mësuesit me ndalesë të pagës, në atë që duket të ishte strategji për frikësimin e tyre. E mbajti fjalën, i dënoi jo vetëm mësuesit, por edhe sektorët e tjerë, për “punën që s’e kanë bërë”, siç u shpreh Albin Kurti.

Por, përpos mosekzekutimit të pagave, që është goditje e rëndë për ta, për mësuesit edhe më e rëndë ka qenë mënyra se si janë trajtuar në publik. Sharjet, fyerjet, akuzat, përçmimet, nëpërkëmbjet, kanë qenë vetëm disa nga absurditetet me të cilat janë përballur grevistët.

Fjala që më së shpeshti po përdoret për t’i përshkruar ata është “analfabetë”. Fjalë e cila hedhet rrotull pa ngurrim. Fjalë e cila prek mësimdhënësit.

“Kam punuar në luftë pa pagesë, sepse e shihja si akt patriotik që po jap mësim”, më tha një arsimtare, teksa m’i tregonte mesazhet e prindërve të nxënësve të saj, të cilët kërkonin që të fillojë mësimi dhe të ndalet greva e cila, sipas tyre, po bëhet për përfitime personale të mësuesve.

E pyeta se pse nuk ua kishte kthyer fare ndonjë përgjigje prindërve.

- Advertisement -rrrrrrr

“Mezi presin të më gjuhen e të ma lënë fajin”, m’u kthye ajo, me një fytyrë që s’dështonte ta shpërfaqte frikën që kishte.

Ato mesazhe të cilat bënin thirrje që mësimi të fillojë sepse femijët po dëmtoheshin, ishin, megjithatë, me një nivel aq te dobët të respektimit të rregullave drejtshkrimore saqë ishte ngapak e vështirë t’i kuptoje.

“Po na shajnë, por po harrojnë se edhe ne jemi prindër, nuk po e bëjmë për qejf grevën”, tha në fund ajo.

Një tjetër mësimdhënëse, me të drejtë, tregonte se sa shumë e kishte penguar fakti që disa figura publike postonin dje foto me fëmijet e tyre që futeshin në klasën e parë në shkolla private.

Irritohej se si ata që bëjnë thirrje për “solidarizim” pozonin duke buzëqeshur me fëmijët e tyre, ndërsa pjesa më e madhe e të vegjëlve, sepse janë në shkolla publike, qëndruan dje në shtëpi. Ajo i quante “fallse” buzëqeshjet e tyre, dhe ishte zemëruar nga ndasia e krijuar.

Pagat e ndalura i kanë dëmtuar tej mase punëtorët e arsimit dhe pasiguria që ka krijuar te ta është e papërshkrueshme.

“Një cent të kuq nuk e kam në shtëpi për bukë”, tha një punëtore teknike, të cilën e kishte kapur halli i mosekzekutimit të rrogës.

“Do të na e shtrojnë zullumin”, tha një mësimdhënëse duke iu referuar Qeverisë Kurti.

Për çështjen e fyerjeve dhe kërcënimeve të shumta që po marrin, për Gazetën Metro foli edhe z.Ahmet Pllana, ish-arsimtar i Historisë dhe anëtar i SBAShK’ut.

“Sa i përket kercënimeve ne nuk frigohemi dhe nuk i nënshtrohemi askujt. Sa i përket ofendimeve që vijnë nga persona të ndryshem, nuk na shqetësojnë dhe nuk na befasojnë, prapë ne i kuptojmë, por jemi të vendosur dhe unikë që t’i realizojmë kërkesat tona minimale”, tha ai.

Ai unitetin e mësimdhënësve e dëshmoi edhe duke na dërguar një foto të grevës që po mbahet në SHFMU “Dardania” në kryeqytet, aty ku z.Pllana ka dhënë mësim deri sivjet.

Pa dyshim se është e papranueshme për mësuesit t’i dëgjojnë fjalët që po thuhen ndaj tyre. S’është e lehtë për ta të ndezin televizorin e të shohin persona nga më të ndryshëm, shpesh edhe të pashkolluar e të papërgatitur, tek hedhin vrer ndaj mësuesve.

Një pjesë e madhe e këtyre mësimdhënësve kanë punuar edhe gjatë viteve 90’, edhe gjatë luftës, pa asnjë kompensim. Punuan sepse ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve, sidomos në ato kohëra të rënda për popullin e Kosovës.

Mësuesit u larguan nga puna e iu ndalën pagat nga regjimi i Slobodan Milosevicit. 30 vjet më vonë, akuzohen për koordinimin me Serbinë dhe quhen punëtorë të saj.

U kemi hyrë në borxh të thellë moral mësuesve, borxh që kam frikë se është i pashlyeshëm.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Pensionohet mësuesja Haxhere Gërguri-Berisha nga Fushë Kosova

Është pensionuar mësuesja Haxhere Gërguri-Berisha, nga shkolla "Zejnel Salihu" në Bardh të Madh, shkruan...

Pensionohet profesoresha Sadete Hajrizi nga Mitrovica

Njëra nga profesoreshat më të dalluara të gjimnazit të Mitrovicës është Sadete Hajrizi, që...

Vdes profesoresha Xhyzide Ferzi nga Ferizaj

Ka vdekur profesoresha Xhyzide Ferzi nga Ferizaj. Njoftimin e ka dhënë gjimnazi "Kuvendi i...

SBASHK njofton nisjen e veprimeve sindikale: Protestojmë më 4 dhjetor – s’e përjashtojmë grevën

SBASHK ka njoftuar se kanë nisur me veprime sindikale, duke paralajmëruar protestë për 4...