Punëtorët teknikë të shkollave sigurojnë pagë 300 euro, pas kërcënimit me grevë

- Advertisement5 -

Punëtorët teknikë të 10 shkollave në Prishtinë të premten kërcënuan me grevë nëse me tenderin e Komunës për kontratat e reja nuk do t’u rritet paga nga 250 në 300 euro. Pas këtij kërcënimi sindikal, një orë pas, Komuna vendosi që me kontratat e reja punëtorët teknikë t’i kenë pagat 300 euro bruto.

- paragrafi 1 -

Në një zyrë të ngushtë të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, të premten u mblodhën përfaqësues të punëtorëve teknikë të 10 shkollave të Prishtinës për ta shprehur një kërkesë e edhe një paralajmërim për Komunën.

- Advertisement - M1

Ata po pretendojnë se në një tender të hapur nga Komuna e Prishtinës, që do t’i jepej një kompanie për mirëmbajtjen e shkollave, ishte përcaktuar që me kontratën e re një punëtor teknik të paguhej 300 euro, por më pas Komuna e kishte ulur sërish në 250, sa kishte qenë. Për këtë punëtorët teknikë e kërcënuan me grevë Komunën, nëse pagat e tyre nuk do të rriten për 50 euro.

“Sot është marrë vendim që nëse deri të hënën në orën 16:00 nuk kemi dokument zyrtar për rritjen e pagave, të martën në orën 12:00 do të takohemi dhe nëse kërkesat tona nuk përmbushen, do të hyjmë në grevë dhe më nuk do të kryejmë asnjë shërbim deri në përfundim të kërkesave”, ka thënë kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi.

Por, ky presion sindikal ndikoi që veç një orë pas, sipas njoftimit të Azemit, Komuna të vendosë që paga në kontratën e radhës për këta punëtorë të jetë 300 euro.

- Advertisement - m2

Për 24 vjet sa ka kryer punë teknike në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Fazli Idrizi thotë se më së shumti është paguar 250 euro në muaj.

Për të është i papranueshëm dallimi në pagë me punëtorët që kryejnë të njëjtën punë, por që janë të kontraktuar nga sektori publik.

“Është më së vështiri kur një koleg i imi, i cili e ka rrogën 380 dhe e bëjmë të njëjtën punë e unë i marr 250 euro. Kjo është katastrofë. Me 250 euro unë familjen nuk po mund ta mbaj”, ka thënë Idrizi.

Përveç këtij problemi, disa punëtorë teknikë e kanë edhe një telash tjetër me tenderët e Komunës.

Rukie Sllovinja, punëtore në shkollën “Qamil Batalli”, ka thënë se për punën e bërë në muajin shkurt nuk ka marrë fare pagë.

“Prej 2 shkurtit ne jemi pa rrogë. Komuna nuk na ka njoftuar në fillim të shkurtit se ka skaduar kontrata e operatorit dhe ne kemi punuar një muaj kështu. Nuk e kemi ditur. Ne jemi pa rrogë”, thotë ajo.

Se pse nuk janë njoftuar me kohë dhe se a do të kompensohen për punën që kanë bërë, KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës. Por, nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

© KOHA