Punëtorët e sektorit publik s’e kanë marrë asnjë shtesë në pagë, nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat

- Advertisement -

Më 5 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi Ligji për Pagat në sektorin publik, nga i cili janë prekur pagat e mbi 80 mijë punonjësve. Pagat e para me këtë ligj, ata i kanë marrë në fund të shkurtit, por jo edhe shtesat që u takojnë sipas po këtij ligji.

- paragrafi 1 -

Për të përfituar nga këto shtesa, ata janë duke pritur tash e katër muaj, meqë Komisioni i themeluar për këtë çështje ka ende punë.

- Advertisement -

Zëdhënësja e MPB’së, Nora Fetoshi i ka thënë Gazetës Express se komisioni është duke i shqyrtuar kërkesat dhe se pas aprovimit të tyre, punonjësit do t’i marrin shtesat në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga në sektorin publik.

“Komisioni për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës, është duke i shqyrtuar kërkesat. Ju njoftojmë se ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. Pas shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave, në mënyrë retroaktive do t’i marrin shtesat për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik”, ka deklaruar Fetoshi.

Ajo ka treguar edhe se sa shtesa mund të përfitojnë punonjësit në sektorin publik.

- Advertisement -

“Shtesat të cilat mund ti përfitojnë punonjësit në sektorin publik në total janë 10 sosh dhe vlera e tyre për secilën kategori është specifikisht e rregulluar në mënyrë të veçantë me Ligjin për Paga në Sektorin Publik.”, thuhet në përgjigjet e Fetoshit.

Ligji për Paga në Kushtetuese

Ligji për Pagat në Sektorin Publik ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, vetëm dy muaj pas hyrjes në fuqi.

Këtë ligj, Avokati i Popullit ia kishte dërguar Kushtetueses pas 104 ankesave të pranuara për të. Shumica e tyre kanë qenë për zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.

Deri tani, Kushtetuesja nuk ka nxjerrë ndonjë vendim për këtë ligj.

Paralajmërimet e para se Ligji do të përfundonte në këtë gjykatë ishin dhënë qysh në kohën kur Qeveria e mbante sekret vlerën monetare të koeficientit. Ato ishin shtuar më shumë ditën kur ishte vendosur vlera e koeficientit, e që është 105 euro për këtë vit dhe 110 për vitin e ardhshëm.

Ndryshe, Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallë të pavlefshëm.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

“Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze, sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.