Psikologu Visar Sadiku ka ndarë mendimet e tij mbi presionin që shpesh ushtrohet mbi fëmijët për shkak të notave në shkollë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes emocionale dhe vlerësimit të përpjekjes së tyre.
“Mendoj që nota është vetëm një numër”, thekson Sadiku. “Prandaj prindërve dua t’u them që të mos u bien në qafë fëmijëve për shkak të një note, por të vlerësojnë përpjekjen që fëmija ka bërë”.
Sipas tij, jo të gjithë fëmijët kanë performancë të njëjtë në sistemin arsimor, dhe është e rëndësishme të kuptohet se secili ka ritmin dhe mënyrën e vet të të nxënit.
Ai thekson se kur një fëmijë mundohet vazhdimisht, por nuk arrin rezultatet e pritura dhe përballet me zhgënjimin ose kritikën e prindërve, fillon të zhvillojë mendime negative për vetveten.
“Vjen një moment kur fëmijët e ndryshojnë perceptimin për vetveten dhe lind pyetja: ‘A jam unë i aftë? A vlej? A mundem? Si duket nuk mundem’, dhe pastaj fëmija dorëzohet”, shpjegon ai.
Sipas Sadikut kjo ndjenjë është një nga faktorët që çojnë në probleme emocionale dhe zhvillimin e pasigurisë te fëmijët.
Psikologu apelon për më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim midis prindërve dhe fëmijëve, duke nxitur një qasje më të butë dhe mbështetëse në përballjen me sfidat shkollore.
“Në vend që të ndëshkojmë për mungesë rezultati, le të shpërblejmë përpjekjen. Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar vetëbesim te fëmijët tanë”, tha ndër të tjera Sadiku.
Marrë nga portali Telegrafi.com