Kam parë shumë artikuj kohët e fundit në lidhje me të rinjtë që marrin vendimin për të mos pasur fëmijë, siç bëra dhe unë. Këtu keni një perspektivë nga dikush që e bëri atë zgjedhje dhe tani nuk është aq i sigurt se ishte zgjedhja e duhur.
Kur hyra në shkollë pasuniversitare, disa vjet pasi partnerja ime e parë vdiq, unë mora një vendim të ndërgjegjshëm për të mos pasur fëmijë. Unë dhe ajo nuk kishim pasur asnjë fëmijë, sepse ne po argëtoheshim shumë duke qenë fëmijë vetë. Disa muaj pasi ajo vdiq, unë kalova nga muzikant në student psikologjie dhe vendosa që të ndihmoja njerëz të tjerë, nëse nuk do kisha një familje timen. Lëvizje idiote!
Mendoj se u bazova më shumë në pikëllimin tim sesa në realitetin përreth. Është gjithashtu e vërtetë që ndërsa fëmijëria ime kishte disa momente poetike, ishte goxha abuzive dhe unë nuk doja të rijetoja asgjë nga ato. Kur nëna juaj nuk është ndonjë shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur, dëshira për t’u bërë prind bëhet disi më pak tërheqëse.
Sapo karriera ime filloi, unë me kënaqësi e mora atë rrugë. Kafshët shtëpiake ishin fëmijët e mi. Kam dalë me gra me fëmijë dhe madje kam bërë dhe rolin e prindit për disa vjet. Ishin kohë argëtuese. Më pëlqente të isha një “baba”. Ata fëmijë nuk do të më harrojnë kurrë, sepse i kam mësuar të ngasin biçikleta dhe si të ngasin makinën, dhe unë ende i mbaj në zemrën time.
Tingëllon shumë bukur, dhe në fakt, ishte. Por ndërsa fëmijët përshtateshin me mua, gjërat nuk shkonin dhe aq mirë në lidhjet e mia, prandaj dhe ndaheshim. Më pas, edhe shoku im i ngushtë humbi jetën. Ndihesha vetëm, i suksesshëm, por i pakënaqur.
Koha kalonte dhe unë pata plot momente të bukura. Kisha punën dhe miq të mirë, madje një shoqe erdhi të jetonte me mua bashkë me djalin e saj të rritur, por s’ishte e njëjta gjë si familja.
Kaluan edhe disa vjet dhe unë takova gruan time, e cila ka sjellë gëzim dhe shkëlqim në jetën time si askush më parë. Ajo më do dhe është gjithmonë aty për mua. Ka një nënë të dashur (e cila na viziton shpesh), një motër, një nip, një vëlla dhe një vajzë, me të cilët flet rregullisht. Dhe unë kam kitarat e mia. Ato janë pak a shumë si fëmijë për mua. Në fakt, jo, nuk janë aspak siç do ishin fëmijët e mi.
Më vjen keq për këtë aspekt të jetës sime, por nuk dua mëshirën e askujt. Unë bëra një zgjedhje dhe sot po jetoj me të. Nuk dua t’i mbush mendjen askujt për asgjë por thjesht dua t’ju them mos ta hidhni pas krahëve direkt këtë mundësi. Thjesht shihni se çfarë mund të humbisni. Një udhëtim më shumë, një eksperiencë më shumë, nuk është asgjë para dashurisë së fëmijëve tuaj.