Në përditshmëri kemi plot raste të prindërve të cilët u lexojnë rrallë ose nuk u lexojnë fare fëmijëve libra para gjumit.
Por a e dini se përrallat përveç se shërbejnë si modele lumturie dhe shprehje të fantazive e dëshirave, gjithashtu angazhojnë bashkarish si tregimtarin edhe dëgjuesin të zhvillojnë empati!
A u lexoni libra me tregime fëmijëve?
Sa fëmijë njihni që nuk u kanë lexuar përralla para gjumit? Mësuesit e fillores mund të listojnë një pakicë fëmijësh që shprehen se nuk u kanë lexuar libra me përralla. Ndërkohë, po të shtrohet pyetja “sa fëmijë njihni që nuk kanë parë televizor?”, gjasat janë krejtësisht të ulëta.
Fëmijët nuk lexojnë sepse edhe prindërit nuk i prezantojnë me librin
Historia na lidh me përvojat njerëzore, kulturën, emocionin, vlerat, socializimin, situatat dhe ngjarjet epike. Edhe në kohët moderne ne jemi njerëz që transmetojmë histori, dëgjojmë dhe shkruajmë histori e ngjarje. Miti dhe përrallat përbëjnë një pjesë të rëndësishme integrale në edukimin e fëmijëve. Shqipëria ka folklor të dendur, me zana, orë, kuçedra dhe lugetër, që nxisin imagjinatën dhe mendimin kritik brenda çdo vogëlushi.
Në përditshmëri kemi plot raste të prindërve të cilët u lexojnë rrallë ose nuk u lexojnë fare fëmijëve libra para gjumit. Tre nga argumentet më kryesorë janë:
Argumenti 1: Puna, lodhja dhe angazhimet ditore
Angazhimet ditore, jeta e ngjeshur, problemet dhe situatat e ndryshme janë faktorët që i mbajnë një pjesë të madhe të prindërve larg dyerve të shtëpisë. Pa dyshi,m, të ishte për zgjedhje të lirë, secili prind do preferonte të shpenzonte kohën e lirë me fëmijët. Puna dhe ritmi i ngjeshur i jetës shërben si argument frenues, ndonëse edukimi i fëmijës vjen primarë. Prindërit e kanë në dorë zgjidhjen. Në rast se e kanë të vështirë të jenë vetë të pranishëm mund të angazhojnë gjyshërit, të afërmit, dike të besuar. Kujtojmë se në ditët e sotme, organizohem gjithnjë e më shpesh aktivitete në kuadër të leximit. Gjatë fundjavave secili fëmijë mund të ndjekë klubet e leximit dhe të shijojë të mirat e librit.
Argumenti 2: Librat janë të kushtueshëm. Ndërkohë, në internet janë falas
Interneti kushton më shumë se një libër me ilustrime për fëmijë, dhe nuk flasim vetëm mbi koston ekonomike. Lundrimi në internet shfaq rreziqe nga më të ndryshmit. Numri i videolojërave është më i lartë. Sigurish, një fëmijë zgjedh lojërat elektronike para leximit të librave digjital. Në internet, fëmijët mund të bien pre e njerëzve me qëllime të gabuara. Nga preokupimet e larta, jo çdo prind ka luksin e monitorimit të vazhdueshëm të fëmijës gjatë kohës së përdorimi të internetit. Ekrani i telefonit apo ipadit ndikon në lodhjen e syve për fëmijët. Në vijim, natyra e lojërave virtuale ka pak karakter edukuese. Lojërat e dhunshme, me armë dhe luftë ndikojnë në krijimin e sjelljeve agresive, jo edukative. Për prindërit, të cilët i shikojnë librat të kushtueshëm, atëherë mund të përdorin burime alternative, si bibliotekat, këndet e leximit, aktivitetet letrare.
Argumenti 3: Përrallat ua mbushin fëmijëve kokën me ide të gabuara
Kjo qasje mbetet koherente në çdo brez. Në pikëpamjen e disa prindërve, përrallat krijojnë idenë iluzioniste të një bote magjike me të mira, duke rënë ndesh me të vërtetën e ofruar nga realiteti. Në këtë vazhdë, kjo kategori prindërish zgjedhin t’i mbajnë fëmijët të edukuar në sferën e reales. Pra, s’ka Babagjysh të Vitit të Ri apo Zanë Dhëmbësh. Synimi vjen nga dëshira për ta mbrojtur fëmijën nga zhgënjimi. Prindërit duhet të kenë parasysh se: Në përralla fëmija prezantohet me mesazhe të forta, jo vetëm me kështjella dhe figura mitologjike. Tregimi ka në thelb të zhvillojë imagjinatën dhe të menduarit kritik, duke i bërë ndarjen mes të mirës dhe të ligës. Përralla ka karakter më të butë ndaj trajtimit të botës reale. Mohimi i tregimeve me përralla nuk do i mbrojë fëmijët nga zhgënjimi i padrejtësive kur të rriten.
“Përrallat përveç se shërbejnë si modele lumturie dhe shprehje të fantazive dhe dëshirave, gjithashtu i angazhojnë bashkarish si tregimtarin edhe dëgjuesin të zhvillojnë empati.” – Archibald Knox
Burimi: https://hawksites.newpaltz.edu/agaffordeng170/major-project/
Përgatiti: Xhoana Jaku
©Portali Shkollor