Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur se është e lumtur që e kanë përmbyllur me sukses procesin e avancimit të performancës së mësimdhënësve.
Ashtu siç deklaroi ministrja Nagavci në konferencën e fundvitit të datës 30.12.2024, provimit për licensim të avansuar të mësimdhënësve iu nënshtruan 54 mësimdhënës, prej tyre 7 kanë arritur pragun e kërkuar të kalueshmërisë.Megjithatë për Nagavcin, ky është një sukses i jashtëzakonshëm.
“Për herë të parë javën e kaluar e përmbyllëm me sukses provimin për licensën e avancuar të cilit iu nënshtruan gjithsej 54 kandidatë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm në fushën e arsimit. Qëllimi i sistemit të licencimit është zhvillimi i vazhdueshëm profesional dhe avancimi në karrierë i mësimdhënësve përmes vlerësimit të performancës së tyre”- ka shkruar Nagavci në Facebook, më 03.01.2025.
Sipas Nagavcit, sistemi i licensimit të mësimdhënësve ka qenë i planifikuar me legjislacion, por nuk është zbatuar asnjëherë në plotni. Si rezultat i kësaj, Nagavci thotë se gjatë mandatit të tyre kanë ndërmarrë disa veprime për ta funksionalizuar këtë sistem.
“Kemi rishikuar aktet nënligjore për ta funksionalizuar sistemin e licencimit: UA [Udhëzimin Administrativ] për sistemin e licencimit, UA për zhvillim profesional, UA për vlerësim të performancës. Pas më shumë se 10 viteve mësimdhënësit në Kosovë mund të marrin licencë të re (përtrije e licencës së karrierës) ose të avancohen (licenca e avancuar)”- ka thënë Nagavci.
Nagavci kishte thënë në konferencën e datës 30.12.2024 se kanë aplikuar më shumë se 100 mësimdhënës për t’iu nënshtruar provimit për licensë të avancuar në mësimdhënie.
E për mënyrën e aplikimit, ajo ka thënë se e kanë zhvilluar në formën online përmes platformës e-Kosova dhe se koha për aplikim deri në marrje të licensës është shkurtuar nga 2-3 muaj në 2-3 ditë nga momenti kur mësimdhënësi aplikon.
“Kemi zhvilluar udhëzues dhe formularë përkatës për të ndihmuar shkollat dhe komunat në realizim të vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve. Udhëzuesit dhe procedurat janë prezantuar dhe sqaruar në më shumë se 20 takime/punëtori regjionale e komunale me më shumë se 1000 pjesëmarrës: drejtorë shkollash, pedagogë, koordinatorë të cilësisë, si dhe zyrtarë arsimi në komuna”- ka shtuar Nagavci.
Tutje, Nagavci mburret me këtë arritje duke përmendur se për herë të parë pas 12 vitesh shkollat dhe komunat zbatojnë vlerësimin e brendshëm të mësmdhënësve për përtritjen e licensës së karrierës.
Mësimdhënësit që e kanë kaluar provimin e licensës së avancuar për mësimdhënie, pas një vlerësimi të fundit, do të përfitojnë nga Ministria e Arsimit vlerë monetare 1.2% të vlerës së koeficientit që kanë.
“Kemi zbatuar sistemin e vlerësimit të performancës për licencë të avancuar, për herë të parë nga viti 2012, kur është paraparë me legjislacion; Kemi planifikuar buxhetin për shtesën e performancës për mësimdhënësit… Mësimdhënësit që përfunduan me sukses provimin pas edhe një vlerësimi nga Inspektorati i arsimit, do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerë monetare prej 1.2 të vlerës së koeficientit. Bashkë, çdo ditë për rezultate të synuara e avancim të performancës në arsim!”- ka theksuar Nagavci.
Nagavci kishte njoftuar se më 27.12.2024 ishte mbajtur provimi i licensës së avancuar për mësimdhënie dhe se këtij provimi i janë nënshtruar mësimdhënës të mësimit klasor të gjuhës shqipe dhe të matematikës nga shkollat e mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta.
Disa minuta para se të fillonte protesta e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) më 04.12.2024, ministrja Nagavci kishte njoftuar se është hapur aplikimi për mësimdhënësit që janë të interesuar të pajisen me licensën e avancuar për mësimdhënie.
“Janë gjithsej 7 mësimdhënës që kanë arritur kalueshmërinë mbi 80% që ishte pragu për të vazhduar tutje. Tashmë, pasi që të kenë edhe vlerësimin nga ana e Inspektoratit të Arsimit do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerën monetare prej 1.2% të koeficientit” – ka deklaruar Nagavci më 30.12.2024. /Kallxo.com