Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka thënë se do të ketë një takim të veçantë me prindërit e nxënësve të klasës së dytë të Shkollës “Zenel Hajdini”, të cilët pezulluan mësimin duke kundërshtuar ndërrimin e mësueses që i mësoi në klasën e parë.
Ai tha se prindërit janë të shqetësuar për stabilitetin e fëmijëve dhe se institucionet janë të hapura për dialog.
“Ne kemi pasur një fuzionim të klasave të dy shkollave “Arsim Vokshi” dhe “Zenel Hajdini” në mënyrë që të shfrytëzohet maksimalisht edhe përbrenda kapaciteteve hapësira që ofron kjo shkollë këtu. Në disa raste e kemi pasur të domosdoshme t’i shkrijmë disa klasa përbrenda disa klasave të tjera në kuptim të nxënësve. Duke qenë se shkolla shkon drejt mësimit tërëditor kemi qenë të detyruar që të lëmë hapësirë të mësuesve për aktivitete e pasditës”, tha Shahini.
Ai shtoi se ka pritur që në këtë proces të ketë reagime nga prindërit, sidomos për ndërrimin e shpeshtë të mësimdhënësve, por garantoi se do të kërkohet një zgjidhje për të gjithë.
“Ka pasur disa reagim të prindërve pikërisht të këtyre klasave ose të ndërrimi i shpeshtë i mësimdhënësve. Unë deshta që t’i dëgjoj nga afër prindërit, t’i dëgjo. Ashtu siç u dakorduam që nesër i presim në Drejtorinë e Arsimit që përfundimisht të gjejmë një zgjidhje. Ashtu siç u thashë prindërve po ju them edhe juve: shkolla nuk ekziston pa fëmijë, nuk ka kuptim pa fëmijë dhe sigurisht prindërit janë ata që duan më të mirën për fëmijët e tyre. Ne jemi këtu për të gjetur më të mirën”, u shpreh ai.
Drejtori theksoi se proceset e organizimit të mësimit kanë kufizime dhe se jo të gjithë palët mund të jenë plotësisht të kënaqur, por thelbësore mbetet që të gjendet një kompromis i drejtë.
“Gjithçka që është e rëndësishme në këtë fazë është që ta kuptojnë edhe prindërit se jemi të hapur të diskutojmë edhe duhet t’ju tregojmë edhe atyre se kur ka limit dhe ku janë limitet. Sepse jo të gjithë në fund të ditës mund të ndahen të kënaqur. Janë disa organizime që vetëm në këtë formë mund të bëhen”, tha ai.
Kujtojmë se të hënën, prindërit e 25 nxënësve të kësaj shkolle refuzuan të lejojnë fëmijët e tyre të hyjnë në mësim, duke kërkuar kthimin e mësueses së klasës së parë. Nxënësit dolën para hyrjes së shkollës me pankarta në duar, ku shkruhej “Mësuesja jonë, e drejta jonë” dhe “Stabilitet për fëmijë, jo vendime të padrejta”. /Ekonomia Online