Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës (UP) ka promovuar sot revistën “INTRO”, që i dedikohet edukimit medial.
Kjo revistë është produkt i punës që kanë bërë studentët e lëndës Menaxhimi i medias të Departamentit të Gazetarisë.
I pranishëm në këtë promovim ishte rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, i cili tha se kjo revistë vë në pah kreativitetin, vullnetin dhe aftësinë në shkrim e hulumtim të studentëve dhe gjithashtu trajton një temë shumë të rëndësishme për shoqërinë.
“Universiteti i Prishtinës është madhështor dhe të tillë e bëjnë studentët si ju që kur synimet dhe angazhimin e përafrojnë me atë të profesorëve, e të njëjtat mbështeten edhe nga strukturat brenda institucionit, dalin të tilla rezultate si kjo punë që sot po e promovojmë” – tha rektori Qerimi.
Njëherësh edhe prof. Muhamet Jahiri, shef i departamentit të Gazetarisë në UP, theksoi se shkrimet në këtë revistë do të jenë në shërbim të të rinjve, në mënyrë që secili të mbrohet nga rreziqet që vijnë nga bota virtuale.
Ndërkaq profesori i gazetarisë, Arben Fetoshi, i cili ishte edhe mbikëqyrës i këtij projekti, tha se kjo revistë u përgjigjet sfidave digjitale.
E për përvojën e studentëve gjatë realizimit të revistës, foli para të pranishmëve studentja Elsa Gecaj. Ajo theksoi se angazhimi gjatë krijimit të kësaj reviste i ka ndihmuar ata si studentë që të mësojnë më shumë rreth anës praktike të profesionit. “Revista ‘INTRO’ u bë vend ku ndamë pasionet dhe interesat e përbashkëta. Teksa punonim në revistë, ne arritëm të fitojmë njohuri të veçanta sa i përket procesit të krijimit të një reviste”.
Ky është numri i dytë i revistës “INTRO”, i realizuar në kuadër të departamentit të Gazetarisë në UP. Aktiviteti i sotshëm për promovim të revistës u mbyll me diskutime ndërmjet studentëve dhe profesorëve.