Promovimi i identitetit kulturor, mision i studentëve shqiptarë të Neuchâtel-it

- Advertisement -

Shoqata e Studentëve të Universitetit të Neuchâtel-it është mbase më e reja ndër simotrat e saj në Zvicër. Megjithatë, falë angazhimit të kryesisë së saj që përbëhet nga katër vajza, studente, kjo shoqatë ka shënuar disa arritje me rëndësi në aktivitetin për të cilin është themeluar.

- paragrafi 1 -

Artina Kastrati, kryetare flet për Albinfo.ch në emrin e kryesisë, për themelimin e shoqatës, përbërjen e saj, misionin, arritjet e deritashme etj. “Në Zvicër, pothuajse në çdo kanton ku ka universitete, ekzistojnë shoqata të studentëve shqiptarë, shumë prej tyre janë krijuar prej vitesh dhe kanë një histori të gjatë veprimtarie. Në këtë kuadër, Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Neuchâtel është një ndër më të rejat, edhe pse iniciativa për ta krijuar një shoqatë të tillë në Neuchâtel ka ekzistuar prej më shumë se 10 vitesh. Shoqata u krijua zyrtarisht në vitin 2022, dhe në fillim të vitit 2024, ne, katër vajza të angazhuara morëm drejtimin dhe i dhamë një energji të re. Disa madje e quajnë këtë periudhë një “ringjallje”, çka na motivon edhe më shumë për të vazhduar misionin tonë”, thotë kryetarja e shoqatës.

- Advertisement -

Misioni: Ruajtja e identitetit dhe promovimi i kulturës shqiptare

Duke u ndalur në misionin që udhëheq punën e shoqatës znj. Kastrati vë theksin në promovimin e kulturës shqiptare dhe në krijimin e një hapësire bashkimi për studentët. “Misioni ynë kryesor është të promovojmë kulturën shqiptare dhe duke mbajtur mend nga kemi ardhur. Besojmë se kultura jonë është një pasuri e çmuar që duhet ta ruajmë dhe ta transmetojmë me krenari. Për ne, identiteti kulturor është forcë dhe burim lidhjeje mes brezave. Një tjetër qëllim i rëndësishëm i shoqatës është të krijojë një hapësirë bashkimi për studentët shqiptarë në Neuchâtel. Përmes aktiviteteve të ndryshme synojmë të forcojmë ndjenjën e komunitetit, por gjithashtu edhe të hapemi ndaj publikut më të madh, për të treguar vlerat tona dhe për të fituar mbështetje në nisma të përbashkëta. Deri më tani kemi realizuar disa aktivitete të rëndësishme që lidhen me promovimin e kulturës shqiptare, dhe synojmë të vazhdojmë në këtë drejtim me projekte gjithnjë e më kreative dhe përfshirëse”, plotëson ajo.

- Advertisement -

Aktivitetet dhe fuqia e tyre frymëzuese

Ndër aktivitetet e deritashme, të cilat, siç thotë “na kanë dhënë motivim të madh falë pjesëmarrjes së gjerë dhe fjalëve të ngrohta që kemi marrë nga publiku”, ajo numëron tryezën e rrumbullakët me Profesor Doktor Nusret Pllanën, e organizuar me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. “Profesori foli për luftën, ndërsa ne, katër vajzat e kryesisë, ndamë mendimet dhe emocionet tona për sakrificat e prindërve tanë.

Një tjetër event frymëzues që organizuam ishte “Albanian Women Success Story”, ku ftuam 5 gra shqiptare të suksesshme që kanë studiuar në universitete dhe që sot kanë ndërtuar karriera të mëdha. Ato ndanë përvojat e tyre dhe na dhanë këshilla e motivim për të vazhduar rrugën tonë me besim dhe përkushtim. Gjithashtu kemi realizuar një video “podcast“ në sallën multimediale të fakultetit, ku kemi prezantuar më në detaje shoqatën tonë dhe vizionin që kemi. Aktivitetet tona janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë marrë shumë vëmendje, aq sa kanali kryesor zviceran RTS na ka kontaktuar për një intervistë me rastin e ardhjes së Presidentes Vjosa Osmani në Zvicër. Intervista është parë nga më shumë se 30 mijë veta në rrjetet tona, dhe me siguri edhe nga mijëra të tjerë përmes shpërndarjes në rrjete të tjera. Gazetares i kemi treguar historinë tonë, por edhe vuajtjet dhe sakrificat e popullit tonë në Kosovë, një temë që ka ngjallur interes edhe te publiku zviceran. Kemi marrë shumë komente pozitive dhe kjo na ka dhënë një shtysë të madhe për të çuar shoqatën në një nivel edhe më të lartë”, thotë tutje z. Kastrati.

Perspektiva, sfidat

Lidhur me numrin e anëtarëve të shoqatës, ajo pranon se bëhet fjalë për një numër ende modest por me perspektivë të mirë për tu rritur. “Aktualisht, kryesia e shoqatës përbëhet nga katër vajza të angazhuara. Edhe pse për momentin nuk jemi shumë në numër, kemi vënë re një interesim të madh nga studentë të tjerë shqiptarë, sidomos pasi kemi sjellë një frymë të re dhe e kemi çuar shoqatën në një nivel tjetër. Në semestrin e ardhshëm presim të kemi shumë anëtarë të rinj, të cilët duan të kontribuojnë dhe të jenë pjesë aktive e komunitetit tonë. Për të gjitha ne, kjo ka qenë hera e parë që marrim në dorë drejtimin e një shoqate, dhe natyrisht që nuk kishim eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Kur ekziston një qëllim i qartë dhe vullnet i sinqertë, çdo gjë është e mundur”, shton kryetarja Kastrati.

Mbështetja e prindërve dhe e publikut, si forcë motivuese

Ndërkohë, bashkëbiseduesja jonë flet për motivet që shtyjnë atë dhe kryesinë e re për të çuar përpara shoqatën. “Ajo që na bën më së shumti krenare është fakti që, edhe pse jemi rritur në mërgim dhe studiojmë në universitete e shkolla të larta në Zvicër, nuk e kemi harruar kurrë historinë tonë dhe vuajtjet e popullit tonë. Çdo detaj nga e kaluara jonë na jep forcë, motivim dhe vullnet për të ecur përpara e për të arritur qëllimet tona. Por ndoshta momenti më i veçantë dhe më i çmuar për ne është kur shohim prindërit tanë në publik, me lot në sy nga emocionet dhe krenaria që ndiejnë për fëmijët e tyre. Të dimë që i kemi bërë krenarë ky është suksesi më i madh për ne. Publiku na ka dhënë dashuri të madhe dhe përkrahje të jashtëzakonshme, dhe kjo na motivon çdo ditë për të vazhduar misionin tonë me zemër të hapur dhe me plot përkushtim”.

Bashkëpunim i frytshëm me shoqata dhe subjekte të tjera

Bashkëpunimi me shoqata dhe subjekte të tjera është diçka e nënkuptueshme për një shoqatë sikur kjo e studentëve shqiptarë të Neuchätelit. Këtë e konfirmon edhe Artina Kastrati: “Ne kemi bashkëpunuar me shoqatat e studentëve shqiptarë të Gjenevës (AEAUG) dhe Lozanës (AEAUL), ndërsa me shoqatat e tjera shqiptare, kemi ndërtuar raporte shumë të mira dhe të sinqerta. Secila shoqatë fton të tjerat në evente të ndryshme dhe gjithmonë bashkëpunojmë duke u ndihmuar reciprokisht. Ajo që e bën këtë rrjet edhe më të bukur është fakti që, në mesin e shoqatave shqiptare mbizotërojnë dashuria dhe përkrahja, jo konkurrenca. Ne e përjetojmë këtë si një familje të madhe që rritet e forcohet bashkë. Sepse, kur jemi bashkë, jemi më të fortë. Dhe do të vazhdojmë me të njëjtin shpirt bashkimi edhe në të ardhmen”.

Një e ardhme premtuese

Duke ju referuar të ardhmes së shoqatës, ajo, sipas z. Kastrati nuk ka si të jetë ndryshe përveç e ndritshme. “E ardhmja është plot dritë, sepse kjo është vetëm fillimi. Kemi plane, ide dhe ëndrra të mëdha që mezi presim t’i realizojmë së bashku me ju. Do të organizojmë evente edhe më të mëdha, do të sjellim projekte të reja dhe do të vazhdojmë ta promovojmë kulturën tonë me krenari dhe dashuri. Besojmë fort se kur qëllimet janë të sinqerta dhe bashkimi është i vërtetë, gjithçka është e mundur. Mesazhi që duam të përcjellim është i thjeshtë, por i thellë: Faleminderit nga zemra për gjithë përkrahjen dhe fjalët tuaja motivuese. Edhe pse për ne, katër vajzat e kryesisë, kjo është hera e parë që marrim një përgjegjësi të tillë, ne kemi arritur të ndriçojmë dhe të japim më të mirën tonë. Identiteti ynë shqiptar është pasuria më e madhe që kemi. Ne nuk e harrojmë kurrë historinë tonë, në fakt, e promovojmë me krenari, sepse siç thotë Profesor Nusret Pllana: “Historia që harrohet, përsëritet.” Jemi shqiptare. Gjaku ynë na bashkon. Dhe për këtë jemi krenare. Një falënderim i veçantë shkon për prindërit tanë që na kanë dhënë edukatën, vlerat dhe rrënjët që do t’i mbajmë me vete gjatë gjithë jetës.

Katër vajza në krye të shoqatës

Kryesia aktuale përbëhet nga katër vajza: • Artina Kastrati, kryetare • Liza Morina, nënkryetare • Erisa Shala, sekretare • Mejreme Thaqi, arkëtare.